Mon, Nov 25, 2024

Berisha mbeti jashtë, zbardhen debatet brenda grupit parlamentar të PD. Besnikët e ish-kryeministrit- Bardhit: Bëji kërkesë Kuvendit, nuk e pranojmë që…

  • PublishedApril 17, 2024

Grupi parlamentar demokrat është përfshirë nga debatet pasi Kuvendi nuk e përfshiu ish kryeministrin Sali Berisha si pjesë të kësaj strukture pas kërkesës së fundit që i bëri Gazment Bardhi.

AlbaniaWeb.net ka mësuar se “besnikët” e Berishës në grupin parlamentar, Tritan Shehu, Luan Baçi dhe Edmond Spaho i kanë kërkuar kreut të grupit që të përsërisë kërkesën për Kuvendin duke përcaktuar qartësisht futjen e Berishës në grup.

“Gjykoj se krahas shprehjes së qarte publike për këtë nga kryetari i grupit, duhet dërguar në vazhdim të të parës një shkresë e dytë nga kryetari, Kuvendit, eksplicite, me emër e mbiemër të Berishës. Këtu duhet qëndruar fort e me çdo çmim”, mësohet të ketë thënë Tritan Shehu.

Ndërsa Luan Baçi njoftoi deputetët se kishte marrë konfirmim nga Kuvendi që nëse kërkesa e PD vjen me emrin e Berishës, ai do të bëhet fjalë e grupit parlamentar. “Duhet një shkresë e dytë ku të rreshtohen të gjithë emrat e deputetëve të dalë nga lista e 25 prillit 2021 dhe ti dërgohet Kuvendit. Këtë gjë ma konfirmuan edhe shërbimet e Kuvendit, pasi u interesova për këtë gjë! Po të vij kështu më thanë me emra absolutisht që do të jetë në listë”, mësohet të ketë thënë Baçi.

Më i ashpër ka qenë Edmond Spaho, i cili e ka quajtur të papranueshëm lënien e Berishës jashtë grupit. “Sipas ligjit qenia ne grupin parlamentar të PD përcaktohet nga njoftimi i KQZ për zgjedhjet e 2021 si dhe vetdeklarimi i deputetit. KQZ e ka deklaruar Z. Berisha deputet i PD dhe Z. Berisha vetëdeklarimin në fillim te sesionit e ka bere deputet i PD. Këto lojëra ka ardhur koha te marrin fund”, ka deklaruar Spaho.

Ndërkohë Gazment Bardhi deklaroi sot për mediat se nuk ka asnjë pengesë nga grupi demokrat që Berisha të jetë pjesë e tij. “Biem dakord që ky është Grupi Parlamentar i PD që ka kryetar Sali Berishën. Çdo çështje tjetër që Rama tenton të provokojë opozitë, do të duhet të përballet me pasojat”, ka thënë Bardhi.


AlbaniaWeb.net