Wed, Nov 27, 2024

Berisha në krye të PD? A do të ndryshojë SHBA qasje ndaj personave non-grata? Përgjigjet i dërguari me punë në Tiranë

  • PublishedApril 18, 2024

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner në një intervistë dhënë sot për Zërin e Amerikës, u ndal ndër të tjera edhe te zhvillimet në Kuvendin e Shqipërisë.

I pyetur lidhur me qëndrimin e SHBA për personat non-grata dhe nga ana tjetër njohjen e Sali Berishës si kryetar të PD nga shumica e deputetëve të opozitës, Wisner u shpreh se asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimin e tyre.

“Ne vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur non-grata sipas sanksioneve tona për korrupsionin. Dhe do të vëreja se ato sanksione kanë përfshirë të gjithë spektrin politik, pavarësisht asaj çka u pëlqen disa njerëzve të thonë këtu”, tha ai ndër të tjera.

Pjesë nga intervista:

Zëri i Amerikës: Ju e përshëndetët dakortësinë mes shumicës dhe opozitës që riktheu normalitetin në jetën parlamentare. Megjithatë, në sallën e parlamentit kemi një rikonfigurim në krahun e opozitës, ku shumica dërrmuese e deputetëve demokratë, njohin si kryetar të tyre ish kryeministrin Sali Berisha. Para disa muajsh në një deklaratë të saj ambasada amerikane përsërti qëndrimin e saj lidhur me persona të shpallur non grata duke nxitur të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla. Cili do të jetë raporti juaj me këta aktorë, ose më saktë me grupin parlamentar demokrat të rikompozuar?

David Wisner: Armand, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur non-grata sipas sanksioneve tona për korrupsionin. Dhe do të vëreja se ato sanksione kanë përfshirë të gjithë spektrin politik, pavarësisht asaj çka u pëlqen disa njerëzve të thonë këtu. Pra, ajo çka ne po bëjmë këtu është që ne po punojmë me parti politike, me shoqërinë civile, me njerëz në të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, natyrisht. Por në të njëjtin aspekt, siç e thashë më parë, ajo që shqiptarët duan vërtet janë njerëz që punojnë për interesat e popullit shqiptar dhe jo për interesat e tyre personale. Dhe mendoj se e ardhmja e këtij vendi nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Dhe partitë politike duhet të prezantojnë ide të rëndësishme, duhet të paraqesin alternativa reale qeverisëse. Dhe, natyrisht, duhet të prezantojnë kandidatë të cilët njerëzit duan t’i votojnë. Kam shumë besim kur dëgjoj shqiptarët të më thonë se duan të kthejnë faqe, dhe duan të kenë opsione reale që funksionojnë në interes të tyre.


AlbaniaWeb.net