“Zgjedhjet më të manipuluara në histori”, Berisha vlerëson raporton e ODHIR dhe flet për deformimin e votës: Nga trinomi Rama-Doshi-Brava
Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur raporton paraprak të OSBE/ODHIR-it për zgjedhjet.
Në një dalje për mediat, Berisha tha se ky raport, ndonëse paraprak nxirrte në pah problematikat e zgjedhjeve, pasi sipas tij u shtrembërua vota e shqiptarëve.
“Unë vlerësoj raportin e OSBE/OHDIR, të autoriteteve lokale dhe rajonale, deklaratën e përfaqësuesve të PE, të cilët dëshmuan se zgjedhësit shqiptarë votuan në presion dhe jo të lirë. Kjo është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ku me presione të të gjitha llojeve, Edi Rama ndryshoi në mënyrë antikushtetuese, antiligjore, vullnetin e shqiptarëve. ndryshoi rezultatin e votimit. Raporti paraprak ndonëse nuk është përfundimtar, vë gishtin në problemet më madhore të këtyre zgjedhjeve, duke nisur nga makineria shtetërore elektorale si një përbindësh shkatërrimtar i procesit zgjedhor, si akt që krijon pabarazinë më të madhe në procesin zgjedhor. Aty nënvizohet vjedhja e votave apo atentat mafioze në qendrat e votimit.
Përpjekjet për të shkëputur ndonjë gjysmë fraze nga përfaqësuesit e nderuar të institucioneve më prestigjioze të OSBE/ODHIR-it, apo të PE, apo KiE, dështuan. Siç e patë vetë, ata refuzuan që të nxirrnin nga goja çdo cilësor që u kërkua dhe u qëmtua nga mediat e Edi Ramës për ta tundur si flamur të këtyre zgjedhjeve më të manipuluara, më të rrënuarat në historinë e Shqipërisë. Në këtë kontekst populli opozitar, pa si në dritën e diellit përpjekjen e narkoshtetit për të asgjësuar opozitën e vërtetë si pjesëmarrëse në zgjedhje. Rama i tmerruar nga emri i Sali Berishës, nuk lejoi regjistrimin e tij në listë. Një aleancë krimi në nivel politik dhe nëntokësor terreni, u demonstrua si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Trinomi Rama-Doshi-brava ishte shëmtia më e madhe në këtë proces zgjedhor. Siç konstaton me të drejtë raporti i vëzhguesve, blerja e votës, ishte akt masiv dhe i shëmtuar. Mungesa e komisionerëve, dhe numëruesve të opozitës së vërtetë, ishte një akt tjetër pabarazie. Dhuna dhe terrori shkoi deri në pengmarrje të tyre. Këto janë konkluzione kryesore; e para Rama është armik i egër i përbetuar i votës së shqiptarëve. Janë një apel, një kushtrim për mbarë popullin opozitar për çdo shqiptar që beson se barazia para ligjit, liritë të drejtat e qytetarit, funksionojnë vetëm në rastin se shoqëria voton e lirë.”, tha Berisha.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–