Fitoi në Astir dhe tek “5 Maji”, Veliaj ironizon PD: Mesazh që Tirana më shumë se gishtin e mesit, do ta përqafosh e të ecësh përpara
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka arritur një fitore të thellë edhe tek tre zonat ku Foltorja kishte shpresa të mëdha, si Kombinati, Astiri dhe “5 Maji”. Në një intervistë për News 24, Veliaj tha se qytetarët në këto zona folën qartë që duan të vijojë puna dhe të mos bllokohen investimet.
“Një mesazh që ne duhet të vijojmë të punojmë e të mos tërhiqemi pavarësisht debateve, bllokimeve, jo po mos ma prek Astirin, mos ma prek teatrin. Tirana qartazi do që të prekim plagët e t’i shërojmë ato, të prekim vendet e painvestuara e të investojmë. Tirana na dha një mesazh shumë të fortë tek Astiri. Kemi fituar Astirin, mbi mesataren e Tiranës. Na dha një mesazh shumë të fortë në Kombinat, në zonën ku kandidonte edhe si deputet kundërshtari ynë.
Kombinati, ne kemi fituar mbi 60%. Kjo do të thotë që Kombinati ka mirëkuptuar ata që ose vonesat tona, ka gjykuar për keq ata që na bllokuan në punimet në Kombinat dhe na ka dhënë më shuam besim që unë e kthej në një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ne kemi pasur një rezultat spektakolar tek zona e 5 Majit aty ku pretendohej se prej prishjeve e urbanizimit do kishte shumë pakënaqësi. Qartazi njerëzit, asnjërit nuk i vjen mirë kur prishet shtëpia qoftë edhe pa leje dhe e palegalizuar në Breg të Lumit, por kanë mirëkuptuar që qyteti duhet të ecë përpara dhe nuk mund ta bllokojmë qytetin”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se ky rezultat spektakolar për PS-në ishte dhe një mesazh për opozitën dhe kandidatin e saj. “Besoj që PD-së dhe koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Tirana gjithashtu i dha, siç na dha ne një mesazh për të vijuar përpara, u dha edhe atyre një mesazh. Tirana më shumë se sa gishtin e mesit, do t’i japësh dorën e t’i hapësh krahët, ta përqafosh e të ecësh përpara. Dora e bashkëpunimit, kam përshtypjen ishte më e rëndësishme se sa gishti i mesit të Tiranës. Tirana gjithashtu i tregoi PD, ose koalicionit Bashkë Fitojmë që Tirana nuk është gati dhe s’ka qenë kurrë gati e s’do jetë kurrë gati të bëjë luftë me Amerikën.
Qartazi Tirana tregoi që kjo “martesë” mes të djathtës ekstreme e së majtës ekstreme, Saliut e Ilirit njerëzit që kanë thënë 101 e një të zezat nuk kaloi pa u vënë re në Tiranë. Tirana na dha të kuptojmë që kjo lloj hipokrizie me pretekstin, hajde se është politikë, kjo nuk funksionin në Tiranë. Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve, nuk është t’u pëlqejmë të gjithëve, por në përpjekje për t’u pëlqyer të gjithëve ti bën koalicion me dreqin e të birin duke menduar se Tirana nuk ka busull morale, ky eksperiment dështoi. Tirana tregoi që ka busull morale. Nuk do luftë me Amerikën, përkundrazi është qyteti më pro amerikan sot në Shqipëri dhe qartazi nuk është gati të jetë krushk në dasmën e Ilirit e Saliut”, deklaroi ai.
Veliaj nënvizoi se ky rezultat ishte dhe një mesazh për mediat dhe portalet që vënë gjoba.
“Ti ende pa dalë nga Prokuroria e pa dhënë shpjegime, ata kanë caktuar krimin, të kanë caktuar edhe dënimin. Qartazi Tirana ka një mllef dhe ndoshta partia që është dënuar më shumë pas Ilir Metës e Sali Berishës është partia e gjithologëve, e këtyre që ta bëjnë gjyqin ekran më ekran dhe ndërkohë s’ kanë lidhje me realitetin”, deklaroi Veliaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–