Sherri mes adoleshentëve i mori jetën 15-vjeçarit në Gramsh, shoqërohet në polici autori dhe bashkëpunëtorët
Zbardhen detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot në Gramsh, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën pasi u plagos me thikë. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30, në lagjen “Sport 2”. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi Fajton Bici, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–