Thu, Nov 28, 2024

Para dhe armë me firma angleze! Investigimi i medias britanike: Shqiptarët hapin biznes për transport ilegal

  • PublishedApril 21, 2024

Bandat shqiptare të krimit po përdorin firma korrierësh të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar për të transportuar para në atdheun e tyre.

Paratë që mendohet se në disa raste janë gjeneruar nga sipërmarrjet e kokainës dhe kanabisit po zhvendosen nga Britania në furgonë dhe sipas policisë do të pastrohen në prona dhe biznese.

Një investigim i britanikes “Sunday Express” zbuloi se disa kompani transporti në Angli drejtohen nga shtetas shqiptarë. Ata reklamojnë në rrjetet sociale se transportojnë sende të ligjshme si mobilie, apo pajisje elektronike midis dy vendeve, por më pas ka rezultuar se tregtia e mobilieve nuk ishte biznesi i tyre më fitimprurës. Nga sasia e parave që transportonin ata mbajnë një përqindje të lartë për vete, që gjithashtu mbetet e padeklaruar. Por ky nuk është problemi i vetëm i autoriteteve. Së fundmi, nëpërmjet kompanive të transportit që figurojnë si biznese të regjistruara në Britani, por transportohen armë nga Shqipëria drejt Anglisë.

Një sinjal të fortë për aktivitete e këtij lloji autoritetet britanike e morën kur në 2021 Olsi Sefolli u arrestua për shkak se rrezet X zbuluan 10 pako me para në fugonin e tij, ndërkohë pronar i furgonit, u deklarua kushëriri i tij, Guxim Sefolli, që zotëronte një kompani angleze transporti. Guximi nuk u përball me asnjë dënim, por kushëriri i tij, Olsi, u shpall fajtor për mosdeklarim parash dhe u dënua 9 muaj me kusht. E njëjta firmë ra në vëmendjen e policisë shqiptare në prill të vitit të kaluar kur në një furgon të saj në Portin e Durrësit u gjetën tetë pistoleta dhe municione luftarake.


AlbaniaWeb.net