E përdori në ndeshjen kundër Sitit në “Etihad”, njihuni me xhelin “magjik” që mban në këmbë dhe i jep zjarr Bellingamit
Trajtimi ushqimor në futbollin e sotëm konsiderohet si një nga elementët bazë të suksesit. Veçanërisht kur flasim për lojtarë të mëdhenj. Shumë prej tyre punësojnë dietologë, apo nutriocionistë për të pasur një dietë ushqimore sa më të shëndetshme në funksion të përgatitjes atletike dhe rendimentit më të lartë në fushë. Xhud Bellingam nuk bën përjashtim nga ky rreth lojtarësh. Në ndeshjen e Ligës së Kampioneve mes Mançester Sitit dhe Realit të Madridit, shumë njerëz kanë kapur një moment kur ylli i Realit, Bellingam, duke marrë një xhel në mes të ndeshjes. Ndaj pyetjet që ishin rrjedhojë logjike, pse?
Eksperti i të ushqyerit, “Nacho Company”, ka zbuluar për gazetën “Marca” për çfarë bëhet fjalë dhe mbi të gjitha duke shuar çdo hamendësim për çështje të përdorimit të substancave të ndaluara. Sipas dietologes së kompanisë: “Ka dy lloje xhel-esh, disa pa kafeinë dhe të tjerë me kafeinë. Xhel-et më të famshëm janë ata që përmbajnë kafeinë në thelb, sepse kafeina është stimuluesi kryesor (komponent që të jep energji përballë një stimuli, në këtë rast, loja e futbollit”. “Është e vërtetë që kafeina hyn në veprim (jep efekt) 30-40 minuta pas marrjes së saj, kështu që nëse Bellingam do ta merrte atë në mes të lojës, nuk do të kishte shumë kuptim, pasi ky xhel do të jepte efektin e dëshiruar kur ai do të ishte tashmë në dush.
Po, është e vërtetë, që ai mund ta kishte marrë në mënyrë që të kishte një efekt mbi të në periudhën shtesë dhe të kishte atë energji që i duhej gjatë asaj kohe të shtuar, kjo është e vetmja pikë që shoh në marrjen e kafeinës gjatë pushimit”, ka sqaruar kompania e specializuar. Sipas ekspertit të nutricionit, këto xhel-e kanë një nivel të lartë karbohidratesh, veçanërisht në format sheqeri, i cili gjithashtu jep energji. Në futboll, në këtë rast aktivizohet një sistem glikolitik, i cili është thjesht një sistem përmes të cilit trupi ynë shpenzon energjinë nëpërmjet glukozës që ka dhe glukoza që ne kemi gjenerohet nëpërmjet karbohidrateve që konsumojmë. Prandaj, këto masa xheli, që kanë një nivel paksa të lartë të karbohidrateve, do t’i japin lojtarit atë energji shtesë që nevojitet për minutat shtesë.