Dosja Xibraka, sipas SPAK Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka marrë vendim për mosfillimin e hetimeve për kallëzimin e bërë nga vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama, ndaj deputetit Gazment Bardhi për “kallëzim të rremë” me arsyetimin se nuk provohet që Bardhi të ketë kryer një kallëzim ndaj tij.
“Nuk rezulton që nga ana e shtetasit Gazment Bardhi apo ndonjë përfaqësues i tij të jetë depozituar kallëzim penal pranë prokurorisë apo oficerit të policisë gjyqësore që të konsiderohet se është paraqitur kallëzim…” – thuhet në vendimin datës 17 prill të prokurorit Elvin Gokaj.
“Në këto kushte, përderisa nuk provohet se i kallëzuari e ka kryer faktin që është kallëzuar, atëherë nuk provohet as faji…”- arsyeton më tej prokurori.
Në fund të muajit mars Bardhi pretendoi publikisht se kishte kallëzuar penalisht Olsi Ramën për përfshirjen e tij në dosjen “Xibraka” duke publikuar dhe një shkresë dërguar Prokurorisë së Posaçme me titullin “informacion për fillimin e hetimeve penale ndaj shtetasit Olsi Rama”.
Sipas Bardhit njoftimi i organeve kompetente mbi një vepër penale përbën një kallëzim penal.
“Kallëzimi është njoftimi apo informimi i institucionit zyrtar nga një person për sjelljen e një personi tjetër”- tha ai gjatë një dalje për mediat duke shtuar se “unë mbaj përgjegjësi nëse kam çuar kallëzim të rremë”.
Duke iu referuar vendimit të SPAK për mosfillimin e hetimeve për kallëzimin e Olsi Ramës, Bardhi sugjeroi të enjten se ky vendim “konstatonte se nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë” nga ana e tij.
“Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare”- tha ai në një njoftim publik, duke i kërkuar publikisht SPAK-ut që të nisë hetimet ndaj vëllait të Ramës mbi faktet e publikuara prej tij.
Lidhur me konstatimin e SPAK-ut se në fakt nuk kishte një kallëzim ndaj Olsi Ramës, një zëdhënës i Bardhit iu referua sërish shkresës së 29 marsit, nëpërmjet së cilës sipas tij “i dërgohet informacion SPAK për fillimin e hetimeve ndaj shtetasit Olsi Rama me qellim rihapjen e procedimit penal 335/1”.
“Pra dosja ekziston dhe provat janë në prokurori. Nuk regjistrohet kallëzim i ri në regjistrin e veprave penale, por merret vendim për heqjen e pezullimit ndaj procedimit 335/1 që ekziston”- tha në një njoftim, zëdhënësi Everest Dedaj.
Pak javë më parë Bardhi e akuzoi publikisht Olsi Ramën për lidhje me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të kokainës në vitin 2014 dhe i bëri thirrje Prokurorisë që të rihapë hetimet për të verifikuar rolin e tij në dosjen e njohur të laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Ai iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar, sipas tij, faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër.
Në mars të vitit 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka ndarë më vete procedimin për bashkëpunëtorët e paidentifikuar, që sipas Bardhit, ishte vetëm një i tillë, i diktuar nga shërbimet e vëzhgimit si drejtues i makinës së mësipërme dhe i përshkruar në dokumentet e prokurorisë si “45-vjeçar me flokë të shkurtra”.
Vëllai i kryeministrit pretendoi në kallëzimin e tij kundër Bardhit se, akuzat ishin të pavërteta dhe se i kanë dëmtuar imazhin atij dhe familjarëve, por nga ana tjetër ai pranon se njihet me një prej anëtarëve të bandës të përmendur në akuzat publike të Bardhit.
Hetimi për grupin e përfshirë në laboratorin e prodhimit të kokainës në Xibrakë nisi në dhjetor 2014, pas informacioneve të mbërritura në Shqipëri nga autoritetet gjermane. Në janar 2015, Prokuroria e Krimeve të Rënda vuri nën akuzë 9 persona për trafikim të lëndëve narkotike dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal.
Prokuroria e Krimeve të Rënda akuzoi Genci Xhixën si drejtues të grupit kriminal të përfshirë në laboratorin e kokainës, por ai nuk u arrestua asnjëherë nga policia. Anëtarët e grupit u dënuan me 104 vjet burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, por dënimet u lehtësuan në Apel dhe disa prej tyre, si në rastin e Ermal Hoxhës dolën më herët nga burgu për “sjellje të mirë”.
Në kërkesën e tij për SPAK, Bardhi kërkon rihapjen e procedimit penal të veçuar për të verifikuar “dyshimet e arsyeshme për përfshirjen në veprimtari të paligjshme të shtetasit Olsi Rama”.