Sat, Nov 23, 2024

Atentati ndaj ish-prokurorit Ndoj/ Ankimoi masën, Apeli i GJKKO-së lë në fuqi arrestin për nipin e deputetit të PS, Ramazan Rraja

  • PublishedMay 17, 2023

Ndonëse Ramazan Rraja apeloi masën, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’. Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se Apeli rrëzoi kërkesën me pretendimin se është paraqitur jashtë afatit të përcaktuar me ligj. Rraja akuzohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Ajran Ndoj dhe mikut të tij Aleksandër Laho.

Ndaj tij është ngritur edhe akuza e armëmbajtjes pa leje, pasi në momentin e arrestimit i është gjetur dhe një pistoletë.

Bashkë me Rrahjan u arrestua edhe miku i tij Louis Konomi, i cili ishte shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit.

VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 17.05.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 16 akti, datë 12.05.2023 regjistrimi, me objekt “kundër vendimit nr. 37 Akti, datë 20.04.2023 të Gjykatës të Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim R.Rr., ndaj vendimeve nr. 80 akti, datë 20.11.2022 dhe nr. 37, datë 20.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i hetuari R.Rr. dhe mbrojtësi i tij av. Elton Hyseni ndaj disponimeve nr. 89 akti, datë 20.11.2022 dhe nr. 37 akti, datë 20.04.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.