Dënimet “ulin” shpenzimet! Investimet dyfish më pak, ndikuan edhe ndëshkimet e drejtësisë në komisionin e ofertave
Shpenzimet për investime publike bëra nga buxheti në tremujorin e parë të këtij viti janë dyfish më të ulëta se e njëjta periudhë një vit më parë dhe në nivelet më të ulëta në pesë vitet e fundit.
6.6 miliardë lek janë hedhur në ekonomi për investime, më pak se planifikimet e qeverisë për buxhetin e këtij viti. Nga krahu tjetër shpenzimet korrente, ku një pjesë e mirë shkon për pagat e administratës janë rritur pas reformës së ndërmarrë nga qeveria.
Sipas ekspertëve ka një rivlerësim të gjithë mënyrës se si prokurohen punët publike nisur edhe nga dënimet e fundit të dhëna nga drejtësia për komisionet që bëjnë vlerësimin e ofertave
“Nëse më parë kishim realizime të planit pa shumë probleme ndoshta tani procedurat e tenderave dhe prokurimeve publike janë më të shqyrtuara nga organet e drejtësisë. Është edhe njëlloj frike nga ana e administratës për të firmosur letra të caktuara apo ato që mund të jenë procedura të dyshimta“-shprehet eksperti i ekonomisë Mateo Spaho.
Mosrealizimi i investimeve publike në kohë sipas ekspertëve i ka të ndjeshme efektet në ekonomi sipas ekspertëve
“Rreziku i madh është që në fund të këtij viti shteti me procedura të përshpejtuara ose me një ligj të votuar në moment të fundit të lëvrojë një sasi të madhe parash me kontrolle më të vogla. Rreziku i dytë është ai i një shpenzimi më të vogël që nënkupton uljen e borxhit publik më shpejt, por nga ana tjetër shteti ka dhe një rol në rritjen e ekonomisë dhe nëse këto shpenzime nuk bëhen ekonomia do të rritet më pak.”
Shqipëria ka vijuar që të ketë nivele rekord suficiti të parave në buxhet, ndërsa vijon praktika që një pjesë e mirë e fondeve publike të shpenzohen në periudhën e fundvitit pa i shtrirë ato në kohë përgjatë gjithë vitit.
AlbaniaWeb.net