Sun, Nov 24, 2024

Detaje të reja nga përgjimi i Belerit/ I infiltruari mori 40 mijë lekë nga Kokaveshi në tualetin e lokalit, telefonin i tha ta linte tek…

  • PublishedMay 17, 2023

BalkanWeb ka zbardhur të tjera detaje lidhur me dosjen e kandidatit fitues nga koalicioni Bashkë Fitojmë, për bashkinë e Himarës, Alfredi Beleri.

Në dosjen hetimore, të siguruar për BalkanWeb dhe News24 nga gazetarja Klodiana Lala, thuhet se personi i infiltruar, në datën në 11 maj, ka takuar vëllain e tij shtetasin A. R, i cili i kishte thënë se po atë dite kishte takuar rastësisht Alfred Belerin, ku ky i fundit i kishte kërkuar numrin e A.R pasi donte që numrin e tij t’ia jepte shtetasit Pandeli Kokaveshi.

Vëllai i ka thënë shtetasit të infiltruar A.R se Fredi i kishte thënë se Pandeliu do ta takonte për t’i dhënë një porosi.

Në vijim të kësaj bisede, gjatë pasdites së datës 11 maj, rreth orës 21:47, shtetasi A.R ka komunikuar me Beleri në lidhje me takimin me shtetasin me emrin Pandeliu dhe ai i ka thënë që do ti thotë ta marrë në telefon vetë Pandeliu.

Pjesë nga dosja hetimore:

Në vijim të kësaj bisede, rreth orës 23:00 shtetasi A.R, është telefonuar nga shtetasi me emrin Pandeliu në lidhje me porosinë e Fredit dhe ai i ka thënë që kishte qenë i zënë dhe të takoheshin nesër, por A.R e ka pyetur nëse mund të takoheshin po atë ditë dhe ai i ka thënë që do ta merrte vetë për pesë minuta. Dhe në vijim shtetasi Pandeli Kokaveshi e ka marrë në telefon dhe i ka thënë të takoheshin tek Lokali “Gelateria” në Potam, Himarë.

Ata janë takuar brenda në këtë lokal dhe janë ulur në një tavolinë dhe ai i ka marrë telefonin shtetasit A.R për arsye sigurie dhe bashkë me telefonin e tij i ka lënë në banak. Ata kanë biseduar në lidhje me zgjedhjet dhe listën që shtetasi A.R i kishte dorëzuar më parë shtetasit Dhionisios Alfred Beleri dhe shtetasi Pandeli Kokaveshi i ka thënë se katër persona nga lista i kishte kapur ai më parë dhe se mbeteshin vetëm tetë vetë nga lista (lista e sekuestruar kishte 12 emra).

Më pas shtetasi Pandeli Kokaveshi i ka kërkuar të shkonte me të dhe kanë shkuar drejt tualetit dhe i ka dhënë shumën monetare në monedhën lek shqiptare, ku pasi të dy i numëruan ishin 8 kartmonedha, prerje 5.000 lekëshe, në total 40.000 lekë. Shtetasi A.R e ka pyetur si ti ndante nga 5.000 lekë secili dhe ai i ka pohuar që po. Shtetasi A.S e ka pyetur nëse i ka dhënë ndonjë gjë për të Fredi dhe ai i ka thënë që do të flisnin prapë.

Dhe ai i ka numëruar sërish personat/ emrat që kishte dërguar shtetasi A.R dhe i ka thënë se ka dhënë për tetë vetë dhe në lidhje me personin shtesë, shtetasi Pandeli Kokaveshi i ka thënë se do të flisnin sërish dhe se do ta shënonte ai dhe shtetasi A.R duke u larguar ka marrë dhe telefonin e tij, që shtetasi Pandeli Kokaveshi në fillim të takimit ia kishte lënë mbi banak. Veprimi i mësipërm dhe komunikimi midis shtetasit Pandeli Kokaveshi dhe shtetasit A. R është dokumentuar me audio dhe video.

Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore është bërë sekuestrimi dhe më pas këqyrja e telefonit të shtetasit A. R, nga ku ka rezultuar se ai ka patur komunikime të vazhdueshme me personat nën hetim shtetasit Dhionisios Alfred Beleri dhe Pandeli Kokaveshi, sipas procesverbalit të këqyrjes së aparatit telefonik. Nga të dhënat e përftuara nga kqyrja e aparatit telefonik celular të mësipërm, referuar thirrjeve hyrëse dhe dalëse si dhe komunikimeve në rrjetin social Whatsapp, rezulton se ato janë në përputhje dhe në harmoni me bisedat ambientale të përgjuara si dhe deklarimet e shtetasit A.R.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.