U ekzekutuan më shumë se 8.000 burra dhe djem/ Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën
Propozimi final për rezolutën për Srebrenicën i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombe të Bashkuara, Dennis Francis, dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB.
Njoftimi u bë nga ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në OKB, Zllatko Lagumxhija.
“Pas disa rundesh të konsultimeve gjithëpërfshirëse, propozimi final për rezolutën për ‘Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë më 1995’, i hartuar nga një grup shtetesh, i është dërguar presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe të gjitha misioneve të përhershme në OKB”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Ditëve të fundit, konsultime joformale janë mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Jork për draft-rezolutën që synon të shpallë 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Siç ishte njoftuar paraprakisht në ueb-faqen e OKB-së, në konsultimet për draft-rezolutën morën pjesë misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ndërkaq, më 30 prill, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një seancë për Bosnje e Hercegovinën me kërkesë të Rusisë. Seanca u mbajt me arsyetimin për të diskutuar situatën e sigurisë dhe rreziqet e cenimit të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit. Rusia kërkoi mbajtjen e seancës pas letrës së Zhellka Cijanoviqit, anëtares serbe të Presidencës së Bosnjës që i dërgoi Këshillit të Sigurimit.
Seanca u mbajt në kohën kur Serbia dhe politikanët nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, dhe aleatja e tyre, Rusia, po lobojnë kundër miratimit të rezolutës për gjencodin në Srebrenicë në OKB. Votimi i kësaj rezolute në Asamblenë e Përgjithshme gjatë majit.
Kur Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendosi të miratonte një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë nëntë vjet më parë, Rusia vendosi veto dhe miratimi dështoi. Kësaj radhe, rezoluta do të hidhet në votim në Asamblenë e Përgjithshme, ku nuk ka të drejtë të vetos.
Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi dhe autoritetet në Republikën Sërpska mohojnë se në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e cilësoi si gjenocid krimin e kryer në Srebrenicë, ku më shumë se 8.000 burra dhe djem u vranë nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë./ REL
AlbaniaWeb.net