Ish-deputeti i PS, Armando Prenga sulmohet me armë 3 ditë pas zgjedhjeve
Policia e Shtetit njoftoi të mërkurën se ndaj makinës së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Armando Prenga, ishte qëlluar me armë pasditen e së mërkurës; një ngjarje që dyshohet se e ka zanafillën te një konflikt i ndodhur gjatë procesit të numërimit të votave në Kurbin.
Policia ka shpallur në kërkim 29- vjeçarin Fatbardh Ismaili si autor të dyshuar.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ngjarja u denoncua nga vetë Prenga, i cili njoftoi sallën operative të policisë së Kurbinit se ishte qëlluar me pistoletë në drejtim të automjetit të tij, teksa ishte duke udhëtuar në Fushë-Kuqe.
Hetuesit dyshojnë se sulmi në tentativë ndaj Prengës ka lidhje me incidentin e ndodhur më 15 maj në KZAZ nr.15 në Kurbin, ku dy vëzhgues të kampeve të ndryshme politike u përplasën fizikisht me njëri-tjetrin. Incidenti solli ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit në KZAZ-në nr.15 në Kurbin, ndërkohë që njëri prej personave të përfshirë është babai i Fatbardh Ismailit, i angazhuar në procesin zgjedhor.
Armando Prenga u zgjodh dy herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, përpara se të largohej me dorëheqje në vitin 2017 për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Sipas verifikimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, Prenga kishte precedentë penalë në Itali për vjedhje si dhe një dënim të formës së prerë në Shqipëri për “falsifikim dokumentesh”, të cilat nuk i kishte deklaruar.
Pas denoncimit të Prengës, policia tha se po vijonte hetimet për sqarimin e rrethanave të këtij rasti nën drejtimin e Prokurorisë.