“Na duhet një mrekulli” Roma më sytë nga qielli, Alonso: Rezultat i madh
Bayer Leverkusen nuk di të ndalët, bëjnë për “aspirina” Romën, duke vijuar rrugëtimin e tyre perfekt edhe në Evropë. Ekipi i Xabi Alonso-s hedh një hap të sigurt drejt finales së madhe në Europa League, teksa thyen verdhekuqtë pastër 2-0 brenda në “Olimpiko”. Djemtë e De Rossit ishin dhe të pafat, në si minutën e 21-të ku goditja me kokë e Lukakut u përplas në traversë. Kampionët e Gjermanisë përfituan në maksimum edhe nga gafat e Romës, si në minutën e 28-të, ku Grimaldo shërbeu një assist perfekt për Wirtz me këtë të fundit që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë.
Ekipet luajtën një sfidë të kujdesshme, por diferencën në fraksionin e dytë e bëri një perlë e Andrich, me mesfushorin gjerman që gjeti trekëndëshin me një goditje fantastike nga distanca duke dyfishuar shifrat. Roma u përpoq të rikthehet në lojë, por goditja me kokë e Abraham në fund shkoi pak mbi traversë duke bërë që rezultati të mbetej i pandryshuar:
“Presim një mrekulli”, shkruan Corriere dello Sport në faqen e parë. Në fakt, Romës i duhet një e tillë në “BayerArena”. Pas kësaj fitoreje të pastër, Alonso qëndron i qetë, por shpreson që të festojë me tifozët edhe në Gjermani:
“Luftuan shumë, me forcë dhe disiplinë, por kemi ende shumë punë për të bërë. Ishte një paraqitje e madhe nga ana jonë. Luajtëm mirë në kundërsulm, por nuk arritëm të shfrytëzojmë rastet për të shënuar dhe golin e tretë, gjithsesi jemi të kënaqur. Shpresoj që të festojmë me tifozët tanë edhe javën e ardhshme”, u shpreh Alonso pas ndeshjes.
I qartë për vështirësinë që paraqet tani kualifikimi u shfaq trajneri i Romës: “Luajtëm kundër një skuadre të fortë. Rezultati është i rëndë, por është edhe ndeshja e kthimit. Mund të bënim shumë gjëra më ndryshe, por ky është viti i tyre. Të shkosh atje me një dizavantazh të dyfishtë e bën edhe më të vështirë”, u shpreh De Rossi.
()