Gjyqtari Besnik Hoxha konfirmohet me shumicë votash
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 18 maj vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Tiranës, Besnik Hoxha. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Ashtu, si gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të martën, gjyqtari Hoxha nuk ishte i pranishëm, por ai u përfaqësua nga avokatja Antoneta Sevdari.
Komisioni i kishte kaluar gjyqtarit Besnik Hoxha barrë prove për pasurinë, për figurën dhe për profesionalizmin. Gjatë seancës dëgjimore, avokatja Sevdari iu përgjigj një sërë pyetjesh që lidheshin me mosdeklarimin e adresës së banimit në Tiranë për një kohë të gjatë dhe pretendimit në një prej pyetësorëve se në një periudhë kohe kishte jetuar në Shkodër, ndonëse të dhënat e siguruara prej KPK kanë treguar se Hoxha ishte vendosur në Tiranë. KPK, po ashtu i kishte kaluar barrë prove Hoxhës, në lidhje me vendimmarrjen e një trupe ku ai kishte qenë pjesë në një çështje vrasjeje.
Po ashtu, përfaqësuesja e Hoxhës iu përgjigj pyetjeve mbi kontratën për përdorim të apartamentit, të dhënave për një huadhënës dhe barrës së provës për pamundësitë financiare në ndërtimin e një shtëpie 3 katëshe në Shkodër.
Avokatja Antoneta Sevdari, këmbënguli se me provat dhe shpjegimet e dhëna kishin përmbysur barrat e provës në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin e gjyqtarit Besnik Hoxha në detyrë.
Besnik Hoxha e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë e gjysmë si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2010, Hoxha e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.