Ulja e denoncimeve të korrupsionit nga ana e institucioneve publike, Rama i përgjigjet Dumanit: Lajm i mirë, falë impaktit parandalues të SPAK
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur raportimit që kreu i SPAK, Altin Dumani bëri javë më parë në KLP ku theksoi uljen e numrit të denoncimeve të rasteve të korrupsionit nga ana e institucioneve shtetërore.
Rama tha se pushteti ekzekutiv nuk mund të hetojë në mënyrë të brendshme korrupsionin por mund të ngushtojë hapësirat për kryerjen e kësaj vepre penale në institucione. Ndërsa theksoi se ulja e numrit të denoncimeve është lajm i mirë sa i takon impaktit që veprimtaria e SPAK ka dhënë sa i takon parandalimit të rasteve të korrupsionit.
“Dëgjova drejtuesin e SPAK në raportimin e tij para KLP kur tha se kanë rënë denoncimet për korrupsion në institucionet shtetërore. E thashë se misioni bazë i pushtetit ekzekutiv nuk mund të jetë hetimi i brenshëm i korrupsionit por hartimi dhe zbatimi i masave sistemike që ngushtojnë hapësirat për korrupsion përmes mekanizmash që janë jo subjektiv, duke zvogëluar fuqinë e individit për të ndikuar në procese. Unë besoj, se një arsye e rënies së denoncimeve është në fakt impakt parandalues që ka nisur të japë veprimtaria e SPAK dhe ky është një lajm shumë i mirë”- tha Rama.
Më tej kreu i ekzekutivit, dha edhe shifra lidhur me denoncime dhe masa të ndërmarra nga ministria e Drejtësisë për zyrtarë të caktuar duke nisur që nga shkeljet disiplinore.
“E solla këtë në vëmendje për të rrëzuar me fakte dhe shifra se rastet që zbulojnë hetimet e SPAK-ut janë rrufe që bien në një territor ku nuk ka asgjë. Në vetëm 2 vitet e fundit, drejtoria anti-korrupsion në ministrinë e Drejtësisë, ka urdhëruar 532 masa disiplinore për shkelje, ka bërë 263 për ndryshime të natyrës ligjore dhe ka dorëzuar në prokurori 48 kallëzime penale”- shtoi kryeministri.
AlbaniaWeb.net