Mon, Nov 25, 2024

“Abissnet Superiore”/ Java e 35-të luhet të mërkurën, garë e fortë për vendin e fundit në “Final 4”

  • PublishedMay 7, 2024

Java e 35-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të mërkurën në orën 16:00. Një javë me rëndësi maksimale ku do të vendoset shumë për verdiktet e këtij sezoni.

Egnatia, Vllaznia dhe Partizani kanë siguruar matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” teksa mbete gjithçka e hapur për vendin e katërt. Dinamo City, Skënderbeu, Tirana por edhe Teuta do të luftojnë deri në javën e fundit për të siguruar vendin e katërt në kampionat.

Dinamo City në javën e 35-të do të përballet me Egnatian e vendit të parë, një sfidë mjaft interesante ku të dyja skuadrat kanë si objektiv vetëm fitoren.

Skënderbeu do të presë Laçin në Korçë, një ndeshje shumë e vështirë për të zotët e shtëpisë që luftojnë për vendin e katërt në kampionat. Në anën tjetër, Laçi kërkon fitoren e radhës për të shpëtuar nga “play-out”.

Në stadiumin “Air Albania” do të zhvillohet klasikja e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë. Kuqeblutë do të synojnë të regjistrojnë triumfin e radhës për të luftuar deri në fund edhe për vendin e parë në kampionat, ndërsa për Tiranën është mundësia e fundit për të shkuar në “Final 4” dhe rruga e vetme është fitorja në këtë sfidë.

Partizani do të kërkojë triumfin e radhës teksa do të përballet në transfertë me Kukësin, ndërsa Teuta do të luajë ndaj Erzenit.

AlbaniaWeb.net