Llogaritë/ Dy javë nga fundi, ja shanset e Tiranës për vendin e katërt
Tirana është në udhëkryqin më të madh të këtij sezoni. Nën një presion të madh, bardheblutë janë një pikë larg nga “Final 4” dhe katër pikë nga “play out”. Shkurt, në “purgator”, me një këmbë në “parajsë” dhe me tjetrën në “ferr”.
Po cilat janë opsionet që Tirana, t’ia dalë këtë herë? Bardheblutë janë të gjashtit me 46 pikë, një më pak se Skënderbeu dhe Dinamo. Skuadra nënkampione duhet të fitojë të dyja ndeshjet dhe të shpresojë që dy skuadrat para saj të ngecin të paktën në një ndeshje, qoftë edhe barazim. Në çdo rast, bardheblutë duhet të barazojnë me pikë si blutë dhe korçarët. Tirana luan me Vllazninë dhe Egnatian. Si njëra dhe tjetra rrezikojnë vendet 1-2 dhe do të kërkojnë fitoren.
Egnatias i duhet një trepikësh që të jetë e para e Superiores, por këtë javë luan me Dinamon dhe më pas me bardheblutë. Vllaznia luan me Tiranën dhe e mbyll me Skënderbeun, me një situatë më të lehtë. Partizani është jashtë gare, pasi luan me Kukësin e Erzenin dhe ka dy “fitore të sigurta”, duke shkuar në 63 pikë. Dinamo ashtu si Tirana ka Egnatian dhe Teutën në transfertë. Skënderbeu pret Laçin dhe shkon në Shkodër. Korçarëve u duhet një fitore ose dy pikë të shpëtojnë nga “play out”, pasi e ka të vështirë “Final 4”. E përsëritim, Tirana shpreson te gabimi i dy skuadrave para saj, por duke marrë gjashtë pikë të plota do të jetë e sigurt në “Final 4”. Kjo, sepse Teuta pas saj me 44 pikë mund ta kalojë dhe të shkojë në Europë. Një rebus për t’u zgjidhur.
FUNDI – Problemi është “play out”-i, me Tiranën që matematikisht është ende në lojë, nëse nuk merr 3 pikë ose duke shpresuar që Laçi të mos marrë gjashtë pikë në dy javë. Teorikisht, Dinamoja, Skënderbeu, Tirana, Teuta e deri te kurbinasit janë në vorbullën e fundtabelës dhe “play out”-it. Laçi ka kalendarin më të lehtë, pasi luan me Skënderbeun dhe pret Kukësin. Bardheblutë me pikë të plota janë para Dinamos, Skënderbeut, Teutës, por i zhyt Laçi, të cilin nuk e kanë mundur asnjëherë. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në 180 minuta.