Sun, Nov 24, 2024

Nëse Keni Nevojë Për Vitaminë B12 – Hani Sardele

  • PublishedMay 7, 2024

Pavarësisht shijes së tyre fantastike, sardelet shpesh futen në kategorinë e peshqve më të neglizhuar nga amvisat.

Sardelet i gjejmë të freskëta ose të konservuara dhe mund të përdoren mjaft mirë në sallata, panine apo salca makaronash.

Shija nuk është e vetmja arsye përse njeriu duhet të konsumojë më shpesh sardele.

Këto peshq të vegjël janë shumë të pasur me proteinë, acide yndyrore omega-3, kalcium, hekur, fosfor, riboflavinë, vitaminë B6, B12 dhe D.

Roli i Vitaminës B12 Në Shëndetin e Organizmit

Vitamina B12 është një nga më të rëndësishmet e kompleksit të vitaminave B.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ajo është e domosdoshme për mëlçinë, sytë, flokët dhe lëkurën.

Kjo vitaminë është e përfshirë në procesin e metabolizmit dhe transformon ushqimin që konsumojmë, në energji,.

Trupi e përdor vitaminën B12 për prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, ADN-në, funksionet e sistemit nervor dhe përmirësimin e humorit dhe imunitetit.

Një pjatë me sardele ofron 7.6 mikrogramë vitaminë B12.

Kjo sasi është tre herë më e madhe se rekomandimi ditor për të rriturit që arrin në 2.4 mikrogramë në ditë.

Për fat të mirë, kjo vitaminë e marrë nga ushqimi nuk rrezikon të bëhet toksike nëse merret në sasi më të mëdha.

Trupi prodhon një substancë që kufizon përthithjen e vitaminës B12 dhe pengon mbidozën nga kjo vitaminë.

Njerëzit Që Kanë Nevojë Për Më Shumë Vitaminë B12

Sipas të dhënave të AgroWeb.org të moshuarit, vegjetarianët, personat e alkolizuar, njerëzit që kanë kryer ndërhyrje kirurgjikale në stomak, diabetikët, njerëzit që kanë kryer kimioterapi janë më të predispozuar të kenë mungesa të kësaj vitamine.

Të moshuarit kanë vështirësi në përthithjen e vitaminës sepse stomaku i tyre ka më pak aciditet.

Kjo e fundit është e nevojshme të ndajë vitaminën nga ushqimet dhe të lejojë përthithjen e saj nga trupi.

Produktet shtazore janë ndër burimet më të mira të kësaj vitamine.

Frutat e detit, mishi, shpendët, produktet e bulmetit dhe vezët ofrojnë sasi të mjaftueshme të kësaj vitamine./AgroWeb.org