Sat, Nov 23, 2024

Ish-këshilltarja ligjore humbet të drejtën për të punuar për 15 vjet në drejtësi

  • PublishedMay 18, 2023

Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit, KPK vendosi më 11 prill 2023 të ndërpresë procesin e vetingut për ish-këshilltaren ligjore, Ornela Xhembulla dhe t’i ndalojë asaj emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.

Ornela Xhembulla ka ushtruar detyrën e ndihmëses ligjore pranë Prokurorisë së Përgjithshme për periudhën janar 2015 – shkurt 2017, kur me urdhër të ish-Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, është emëruar oficere e policisë gjyqësore.

KPK konstaton se në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingunt e magjistratëve duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit si subjekt i kategorisë ex officio për shkak se ushtronte detyrën e ndihmëses ligjore. Ajo ka plotësuar dhe dorëzuar deklaratën e pasurisë; atë të kontrollit të figurës; si dhe formularin e vetëvlerësimit profesional.

Pas shortimit në qershor të vitit 2021, Komisioni ka filluar hetimin administrativ për Xhembullën. Subjekti i është përgjigjur pyetësorit standard të dërguar nga KPK, por aty ka parashtruar ndër të tjera se nuk është më në detyrën e ndihmëses ligjore, duke shpjeguar se është emëruar si oficere e policisë gjyqësore prej vitit 2017.

Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar për Komisionin faktin e emërimit të Xhembullës si oficere e policisë gjyqësore dhe ka shpjegur se nuk është më subjekt rivlerësimi. KPK ka kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme që të informojë lidhur me arsyen e përfundimit të marrëdhënies së punës si ndihmëse ligjore, si dhe nëse ajo ka dhënë apo jo dorëheqjen nga ky pozicion.

Prokuroria e Përgjithshme ka informuar se, megjihëse nuk ka pasur ndonjë kërkesë për dorëhqeje nga pozicioni i ndihmëses ligjore, emërimi si oficere ka qenë me pëlqimin e saj. Po ashtu, prokuroria ka informuar se subjekti ka dhënë dorëheqjen nga puna si oficere, që është miratuar e liruar nga kjo detyrë në korrik të vitit 2021. Sipas informacionit të prokurorisë, Xhembulla ushtron funksionin si inspektore pranë institucionit të Avokaturës së Shtetit.

Edhe subjekti ka shpjeguar për Komisionin, se nuk ka qenë pjesë e ndonjë procesi konkurrimi për emërimin në pozicionin e oficerit të policisë gjyqësore, por është disponuar me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo ka sqaruar se është liruar nga detyra në zyrën e Avokatit të Shtetit me dorëheqje dhe është emëruar oficere e policisë gjyqësore në Tropojë.

Lidhur me mënyrën e emërimit të subjektit si oficere, ka paraqitur gjetje edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që ka sjellë në vëmendje faktin se subjekti është caktuar në këtë pozicion me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, që kishte mundësi të ankimohej në gjykatë.

E pyetur nga Komisioni për këtë rrethanë, Xhembulla është shprehur se nuk e ka ankimuar.

Në mars të vitit 2023, Komisioni e ka njoftuar Xhembullën lidhur me përfundimin e procesit të rivlerësimit të saj sipas nenit G të Aneksit të Kushtetuës, ku ndërprerja e vetingut për shkak të dorëheqjes shoqërohet me sanksionin që i ndalon subjektet të rikthehen në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Po ashtu, KPK e ka ftuar Xhembullën të shprehë vullnetin e saj në seancë dëgjimore, por ajo ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë.

Duke ju referuar kuadrit ligjor dhe jurispudencës së KPA-së, trupi i KPK-së çmon se tërësia e veprimeve të subjektit të rivlerësimit vjen në përputhje me vullnetin e saj për të mos qëndruar në pozicionin e këshilltarit ligjor, por për të kryer detyra të tjera të ndryshme dhe më të rëndësishme. Bazuar në këto argumente, KPK e intepreton si një vullnet të shprehur të subjektit për të mos vijuar procesin e rivlerësimit kalimtar.

“Trupi gjykues çmon se subjekti i rivlerësimit ka shfrytëzuar të drejtën që i njeh Kushtetuta dhe ligji për dorëheqje nga detyra e këshilltarit ligjor. Në këtë kuptim, trupi gjykues arrin në përfundimin se për sa kohë dorëheqja e subjektit të rivlerësimit përmbush kriteret e përcaktuara në nenin G të Aneksit të Kushtetutës, atëherë pasoja juridike që i atribuohet situatës faktike të parashikuar në këtë nen do të duhet të zbatohet në tërësinë e saj, duke i kufizuar të drejtën për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”, vlerëson KPK dhe ka vendosur ndërprerjen e vetingut për Ornela Xhembullën dhe vendosjen e sanksionit 15-vjeçar.