Tri fitore radhazi për Partizanin, të kuqtë nuk i shihnin që…
Partizani nis të vërë në punë të gjitha turbinat e motorit të tij para ndeshjeve të “Final 4”. Të shtunën skuadra e kuqe mposhti Skënderbeun dhe arriti fitoren e tretë radhazi në kampionat, një ecuri që ndodh për herë të parë që kur trajneri Shehi mori skuadrën në drejtim në ditët e fundit të vitit 2023.
Për më tepër kjo ecuri u regjistrua në ndeshje kundër rivalëve direkt, siç janë Dinamo, Tirana dhe Skënderbeu. Hera e fundit që të kuqtë regjistronin këtë ecuri ndodhte në një periudhë tranzitore për skuadrën, kur në stol u ul drejtori Abilaliaj,.
Ai e nisi “zjarr” në periudhën tetor-nëntor 2023 me gjashtë fitore radhazi kundër Kukësit, Tiranës, Erzenit, Teutës, Laçit dhe Vllaznisë. Por më pas skuadra pësoi rënie dhe u regjistruan plot gjashtë barazime radhazi, para se ta merrte Shehi.