Sat, Nov 23, 2024

KAS gjobit kryebashkiakët e Kamzës dhe Vorës

  • PublishedMay 18, 2023

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS, vendosi të enjten të gjobisë me 100 mijë lekë dy kryebashkiakët socialistë, Rakip Sulin e Kamzës dhe Blerim Sherën e Vorës, pasi në mënyrë të përsëritur kanë përdorur faqen zyrtare të bashkive në Facebook për shpërndarje të fushatës së tyre elektorale.

Kodi Zgjedhor ndalon përdorimin e burimeve publike për fushatë partiake të kandidatëve.

Denoncimi ndaj dy kryebashkiakëve ishte bërë gjatë fushatës zgjedhore nga organizata KRIIK, e cila denoncoi Sulin e Sherën se kishin lejuar postime me përmbajtje partiake në faqet zyrtare të bashkive që drejtonin. Denoncimi lidhej konkretisht me përdorimin e hashtagëve me sloganin e fushatës së Partisë Socialiste #vetemperpara dhe #kurremembrapa.

Vendimi i KAS-it vjen disa ditë pas zgjedhjeve të 14 majit, ku të dy këta kryebashkiakë u rikonfirmuan në detyrë me rezultat të thellë.

Përdorimi i rrjeteve sociale zyrtare të bashkive, ministrive dhe institucioneve të tjera  u denoncua gjatë gjithë fushatës elektorale dhe KAS ka vendosur dhjetra masa administrative pa mundur ta ndalojë këtë fenomen.

Organizatat e monitorimit të zgjedhjeve konstatuan se kryebashkiakët socialistë që drejtonin pothuaj gjithë bashkitë e vendit që nga zgjedhjet 2019-ës përdorën gjërësisht faqet në Facebook të bashkive apo institucioneve në varësi për të reklamuar veten e tyre si kandidatë për zgjedhjet vendore.

Për të njëjtat motive u denoncuan dhe u gjobitën edhe zyrtarë të ministrive apo institucione të tjera, ndërsa KAS “amnistoi” rastet kur deputetë dhe ministra bënë fushatë politike gjatë aktiviteteve publike të bashkive.

Një urdhër i Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, për fshirjen e të gjitha postimeve me përmbajtje politike nga faqet e Facebookut të të gjithë institucioneve qendrore e vendore, nuk u zbatua në përgjithësi.