Sun, Nov 24, 2024

Fushata në Instagram dhe Facebook kushtoi 91 mijë USD

  • PublishedMay 18, 2023
Erion Veliaj

Reklamat në rrjetet sociale gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit i kanë kushtuar partive politike dhe kandidatëve 91 mijë USD.

Të dhënat e publikuara nga kompania Meta dhe të analizuara nga BIRN tregojnë se kandidati që ka shpenzuar më shumë në zgjedhjet vendore ka qenë kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Veliaj ka publikuara 66 reklama politike në Facebook dhe Instagram gjatë fushatës zgjedhore dhe ka shpenzuar në total 18,645 USD.

Në total, 76 kandidatë për kryetar bashkie kanë shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore 58,950 USD për reklama politike në Facebook dhe Instagram. Partitë politike kanë publikuar 19,499 USD dhe kryetarët e partive dhe politikanë të tjerë, përfshirë deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kanë shpenzuar 12,784 USD.

Në total gjatë fushatës zgjedore janë publikuar në Facebook dhe Instagram 1809 reklama politike nga kandidatët për kryetar bashkie dhe këshill bashkiak, partitë politike dhe politikanë të ndryshëm.

Partia Socialiste realizoi një fitore gati plebishitare në zgjedhjet vendore, duke zgjedhur kryebashkiak në 53 nga 61 njësitë e qeverisjes vendore. Ndërkohë 7 bashki janë fituar nga koalicioni opozitar Bashkë Fitojmë, i udhëhequr nga Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe një bashki nga partia minoritare MEGA.

Pas kreybashkiakut Erion Veliaj, entiteti i dytë me shpenzimet më të larta për reklama politike në rrjetet sociale gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit është Partia Socialiste. PS-ja ka shpenzuar 11,903 USD për të shpëndarë 97 reklama politike në ‘newsfeed’-in e llogarive të qytetarëve shqiptarë në Facebook dhe Instagram.

Kandidati i dytë me më shumë shpenzime për reklama në rrjetet sociale është Belind Këlliçi nga koalicioni “Bashkë Fitojmë’. Gjatë fushatës zgjedore Këlliçi publikoi 204 reklama, duke shpenzuar në total 8082 USD.

Fushatë zgjedhore në qarkun e Tiranës ka qene dhe më e kushtueshmja në krahasim me qarqet e tjera, për sa i përket reklamave politike në rrjetet sociale. Në këtë qark janë shpenzuar për reklama politike 49597 USD, i ndjekur nga Durrësi me 11849 USD.

Shpenzimet më të larta nga një kryetar partie kanë që ato të liderit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ka shpenzuar 5287 USD për reklama politike në Instagram dhe Facebook gjatë fushatës zgjedhore.