Prokurorja Antoneta Sevdari rikthehet në detyrë
“Jam shumë e emocionuar, është ditë shumë e rëndësishme për mua profesionalisht dhe personalisht,” deklaroi prokurorja Antoneta Sevdari të premten më 10 maj jashtë dyerve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pasi KPA vendosi të rikthejë atë në detyrë, tre vjet pasi e kishte shkarkuar me të padrejtë.
Sevdari u bë simbol i zbatimit të ekzagjeruar të ligjit mbi kontrollin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i cili e pati shkarkuar atë në shkurt 2019 pasi gjeti si të pajustifikueshme një sasi të të adhurave të bashkëshorit të Sevdarit mbi dy dekada më parë, kohë para se të njihej dhe martohej me prokuroren.
Në dhjetor 2022, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut iu përgjigj pozitivisht ankesës së Sevdarit duke e konsideruar shkarkimin e saj nga detyra të pajustifikueshëm dhe “disproporcional” me qëllimin e ligjit për kontrollin kalimtar të gjytarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, u desh gati edhe një vit e gjysmë pas vendimit të Strasburgut dhe shumë seanca gjyqësore që KPA të merrte vendimin për të rikthyer në detyrë Sevdarin.
Të premten, në dhënien e vendimit, kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Natasha Mulaj parashtroi fillimisht gjithë ecurinë e procesit të rivlerësimit kalimtar për Antoneta Sevdarin, nga konfirmimi në Komision; ankimin e institucionit të Komisionerëve Publikë dhe shkarkimin e saj nga Kolegji i Posaçëm e Apelimit për probleme në kriterin e pasurisë; prishjen e vendimit të shkarkimit pas kërkesës së Sevdarit për rishikim bazuar në vendimarrjen e Strasburgut që gjetje shkelje të shkallës së dytë të vetingut; kërkimet përfundimtare të Komisioneres Irena Nino e cila pretendoi se GJEDNJ-ja nuk i kishte rrëzuar shkaqet e ankimit të cilave tha se u qëndronte; si dhe qëndrimin e subjektit që i kundërshtoi si të pabazuara shkaqet e Komisioneres.
Gjatë shpalljes së vendimit të premten, kryesuesja Mulaj solli në vëmendje se procesi i rivlerësimit kalimtar mund të përfundojë vetëm me dy aletrnativa, atë të konfirmimit apo të shkarkimit nga detyra. Sipas saj, përderisa nuk u konstatuan elementë që do justifikonin dhënien e një mase të përkohshme, Kolegji arrin në konkluzionin se vendimarrja e GJEDNJ-së është e detyrueshme për zbatim nga shteti shqiptar.
“Për sa kohë, dhënia e masës së shkarkimit është çmuar nga GJEDNJ-ja se ka cënuar nenin 8 të konventës, e vetmja alternativë për përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Antoneta Sevdari është konfirmimi i saj në detyrë. Për rrjedhojë, trupi gjykues në vijim të konkluzioneve të mësipërme vlerëson se vendimi i KPK duhet të lihet në fuqi. Trupi gjykues, me shumicë votash vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për subjektin e rivlerësimit Antoneta Sevdari”, tha Mulaj ndër të tjera.
Pas vendimit të shpallur në ditën e Drejtësisë, prokurorja Antoneta Sevdari deklaroi për mediet se ndihej shumë e gëzuar që në fund arriti të marrë drejtësi.
“Ndihem shumë e gëzuar që në fund arrita ta marr drejtësisë që vlerësoj se e meritoja. Sot është dita e drejtësisë dhe duke qenë e tillë unë e ndjej dyfish përgjegjësinë që në vazhdim të mbetem e përkushtuar në shërbim të saj”, deklaroi Sevdari në fund të procesit.
Një numër gjyqtarësh dhe prokurorësh i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut me ankesa për procesin e vetingut, duke pretenduar padrejtësi. Strasburgu ka pranuar pjesërisht disa kërkesa dhe ka rrëzuar disa të tjera. Në total Strasburgu ka vërejtur se nuk ka një problem sistemik me procesin e vetingut në tërësi.
Sevdari është rasti i parë i një zyrtari të drejtësisë që kthehet në detyrë pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut.