Salianji propozon mbledhjen e grupit të PD-së me të gjithë deputetët: Ka nga ata që s’kanë dalë në fushatë, analizë për punën e secilit
Deputeti demokrat, Ervin Salianji ka propozuar sot mbledhjen e grupit parlamentar ku të marrin pjesë të gjithë deputetët, e të dyja grupimeve për të analizuar situatën ku ndodhet opozita.
Në një prononcim për mediat, ai tha se ka deputetë që kanë punuar kundër apo që s’kanë dalë fare në fushatë dhe tani kërkojnë përgjegjësi për rezultatin.
“Gjithsecili që ka ambicie skema, apo do t’i përdorë këto momente të PD-së, duhet të reflektojë për interes të demokratëve. Opozita duhet të dokumentojë dhe të merret me veten. Gjithsecili duhet të ulet dhe të tejkalojë veten për të gjetur mekanizmat e duhur për t’u hapur drejt shoqërisë. Të gjithë deputetët e opozitës duhet të mblidhen bashkë dhe të gjejnë zgjidhje. Nëse nuk kanë interesa të përbashkëta me demokratët e bazës, opozita duhet të bëjë një riorganizim të ri. Nuk është momenti që të krijohen ngërçe të tjera për të bllokuar urat e komunikimit mes demokratëve”, tha Salianji.
Sipas tij “është një moment që duhet ta lexojmë drejt rezultatin. U bënë disa zgjedhje që Rama nuk ndryshon. Vërtetohet ajo që themi që është një regjim, që Shqipëria nuk garanton dot zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Duke qenë se herë pas here po i kthehemi të njëjtës situatë, duhet të kemi ndryshime reale dhe gjithsecili duhet ta bëjë analizën në zonën ku ka bërë fushatë. Deputetët e PD-së që nuk bënë asnjë ditë fushatë nuk mund të kërkojnë llogari. Ka njerëz që kanë punuar edhe kundër. Në këtë sens duhet që të mbajnë përgjegjësi dhe të shohin çfarë kanë bërë vetë. Ata që kanë pasur përgjegjësi konkrete në zonat e tyre të mbajnë përgjegjësi për rezultatin”.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–