Mon, Nov 25, 2024

INTERVISTA/ “Finalja e Kupës e balancuar”, Josa: Partizani të bëjë kujdes nga Skënderbeu, Vllaznia-Egnatia e kushtëzuar nga rrethanat

  • PublishedMay 14, 2024

Këtë të martë luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, ndërmjet Kukësit dhe Egnatias. Në Superiore, ka përfunduar sezoni i rregullt, teksa janë dhënë verdiktet. Në gjysmëfinale të “Final Four” përballen Egnatia-Vllaznia dhe Partizani-Skënderbeu. Nga Kategoria kanë rënë Kukësi dhe Erzeni, ndërsa Laçi luan në “Play Out”. Trajneri i mirënjohur, Mirel Josa, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, iu përgjigj pyetjeve të gazetares Trevisa Tufa.

Profesor, beson te mrekullitë në futboll? Pas pak luhet finalja e Kupës së Shqipërisë, Egnatia-Kukësi, në letër duket sikur nuk ka shumë histori, është realisht kështu?

Unë nuk mund të them se është pa histori, Kukësi pavarësisht rezultateve në kampionat, nuk mund ta nënvlerësojmë pasi luhet një finale. Në këto ndeshje, lojtarët janë të motivuar. Përse mos të tentojnë të marrin këtë trofe, si te Kukësi, apo Egnatia. Kukësi ka larguar nga mendja atë që ka hequr në këtë kampionat.

Duket një paradoks i madh, ekipi i parë që ra nga Kategoria, lufton për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend, por Kukësi eliminoi dy ekipet e kryeqytetit, Tiranën dhe Partizanin…

Duhet të shikojmë ecurinë e Kukësit. Eleminimi i ekipeve kryeqytetase nuk ishte rastësi. Mendoj se do jetë një ndeshje që do luhet ballë për ballë. Ekipet do kërkojnë domosdoshmërisht trofeun.

Nëse fiton Kupën do të luajnë në Evropë, por edhe në Kategorinë e Parë, duket si një hall me vetë për drejtuesit, të bëjnë apo jo ekip konkurrues…

Unë nuk mund të them se është problem më vete. Problemi është marrja e Kupës te Kukësi. Pavarësisht shpenzimeve ekonomike, të zbusin pak shpenzimet e bëra kohëve të fundit. Ne flasim vetëm për një ndeshje, që mund t’i sigurojë Kupën. Përballë kanë një ekip si Egnatia, që ka qenë në nivelin e duhur.

Ndalemi pak te Egnatia, a është ekipi më i mirë këtë sezon? Janë në finale, mbyllën edhe kampionatin në vendin e parë. Mund të bëjnë dopietë?

Përse mos të bëjnë dopietë? Mundësitë i kanë!

Një analizë dhe një parashikim të fundit, si e sheh këtë finale, çfarë loje pret dhe kë sheh fitues?

Unë do shikoj pavarësisht problemeve, kam parë ndeshjen Egnatia-Vllaznia dhe Tirana-Kukësi. Për mendimin tim, do jetë një ndeshje e të njëjtit nivel. Kukësi pritet luftarak, Egnatia pritet të formojë dhe krijojë sa më tepër. Do jetë strategji komplet ndryshe. Nuk flas për parashikime se kush fiton, i jap 60 përqind mundësi Egnatias.

BISEDA PËR FINAL FOUR

Profesor, ishin këto 4 ekipet më të mira?

Përse jo! Këtu normalisht mund të fusim edhe ekipe të tjera, por në momentin që këto ekipe nga fillimi deri në fund kanë qenë në nivele të pranueshme, nuk përcaktohen këto gjëra në 2-3 ndeshjet e fundit. Egnatia ishte aty, Partizani luftoi me Vllazninë për vendin e dytë, pse jo edhe Skënderbeu, që ka bërë ndeshje të mira.

Egnatia-Vllaznia, hera e 7-të që do të përballen ndërmjet tyre këtë sezon, kë sheh favorit në këtë takim?

Edhe vitin e kaluar, Egnatia-Vllaznia luajtën gjashtë herë. Nuk shikoj favorit në këtë drejtim, gjithçka varet nga gjendja e ekipeve, ka rëndësi mjaft ndeshja e sotme e kupës, jo si rezultat, por ccfarë dëmesh mund të pësojë. Edhe ndeshja e sotme është një fotografi për atë që mund të ndodhë.

Me Brdariç drejtuesit e Vllaznisë, duket sikur bënë të njëjtën lëvizje si me ju pak kohë më parë, por ju e fituan një trofe, Kupën, a mund Bërdaric të bëjë të njëjtën gjë?

Derisa drejtuesit e Vllaznisë vendosën rikthimin e trajnerit, duhet respektuar. Kemi  filluar kapitullin Brdaric 2, të presim e të shohim se sa rezultativ do të jetë, unë bazohem te ajo që ka bërë Brdaric më përpara te ky ekip. Gjithçka mbetet për t’u parë.

Si e ke parë këtë sezon Vllazninë profesor, si e sheh në këtë “final-four”, sa shanse i jep për të fituar titullin?

Çdo trajner ka stilin e vet të lojës, të shohim si do shkojnë gjërat.

Nuk po shkrep më Bekim Balaj profesor, nga një bekim për Vllazninë, tani po kthehet në një shqetësim të vogël, ka krijuar varësi ekipi nga Balaj

Nga një lojtar si Bekimi, normal që do krijosh varësi. Është një lojtar që ka investuar. Nuk duhet të shqetësohet Vllaznia, nuk është e thënë që të realizojë gol vetëm Bekimi, ka edhe lojtarë të tjerë. Unë e shikoj ekipin të varur nga komponentë të tjerë.

Mes tyre, Egnatia-Vllanzia, kë sheh në finale?

Unë thashë edhe një herë tjetër që varet si shkojnë gjërat sot në kupë. Ka dy precedentë, anën psikologjike, anën fizike. Do ta shikojmë, sicc e dijmë pasi sot s’luan edhe Aleksi, lojtar kyç.

Sfida tjetër, Partizani-Skënderbeu, duket si short me fat për Partizanin, por Shehi nuk festoi, beson realisht se korçarët mund t’i hapin punë?

Duhet t’i shikojmë procedentët, ccfarë ka ndodhur në këto ndeshje! Unë mund të them se shikoj Skënderbeun më të lirshëm, për mënyrën sesi është ndërtuar ka arritur objektivat e veta.

Pas një sezoni me ulje ngritje të forta, Partizani vjen në këtë “final-four” pas 5 fitoreve radhazi, është ky momenti i tyre, a mund të ndikojnë këto shifra?

Mund të ndikojnë shifrat në stabilitetin e skuadrës. Trajneri ka kërkuar qëndrueshmëri, por e ka gjetur me hope, unë them se “Final Four” e favorizoi shumë Partizanin.

Sa shanse i jep Skënderbeu për të bërë një mrekulli, fundja nuk janë nën presion, edhe nëse nuk fitojnë nuk do të jetë një zhgënjim, si në rastin e Partizanit…

Kemi një Skënderbe të etur për të fituar, Partizani synon që të mbrojë trofeun. Shikoj Skënderbeun të disiplinuar, do luajë lirshëm me detyra taktike mjaft të qarta.

Në fund, një “final-four” pa Tiranën, është ky zhgënjimi më i madh i këtij edicioni?

Nuk më takon të flas me Tiranën apo pa Tiranën. Ka patur probleme, duhej menaxhuar më mirë këto situata. Unë them se Tirana mund të shkojë në Europë, nëse Egnatia fiton kupën.

(J.S/)

AlbaniaWeb.net