VIDEO/ Suksesi i dytë, Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë, një gol për të mposhtur Kukësin
Egnatia është fituese e Kupës së Shqipërisë për herë të dytë në histori, pas triumfit 1-0 ndaj Kukësit në “Air Albania”. Emocionet nuk munguan as në tribuna, aty ku tifozët e skuadrës nga Rrogozhina nderuan me një baner Rafael Dëamenan.
Në minutën e 9-të, Montenegro vendosi në provë Tafas me një goditje nga larg, e menjëhershme përgjigja e portierit. Pas gjysmë ore lojë, një krosim i Fernandos nuk u konkretizua si duhet, me Reçin që ktheu saktë topin te portieri.
Egnatia zhbllokoi llogaritë në minutën e 38-të. Pas një aksioni me shumë pasime, topi përfundoi te Ndreca, i cili me një të djathtë të bukur dërgoi topin në rrjetë. Me golin e ish-it Ndreca u mbyll pjesa e parë, ndërsa fraksioni i dytë ishte edhe më i luftuar. Verilindorët pruvan të reagojnë në minutën e 49-të me anë të Hasaj, pa rezultat. Në të 53-tën, rrëmujë në zonë pas një ekzekutimi të një goditje dënimi, Lala dërgoi sferën jashtë.
Në të 77-tën, Egnatia fiton penallti me VAR, pas një prekje me dorë të Mingos. Nga pika e bardhë u nis Fernando, ideja e të cilit u kuptua nga portieri Tafas, që neutralizoi gjithçka. Pavarësisht rasteve dhe 5 minutave shtesë, nuk pati ndryshim rezultati, me Egnatian që fiton për herë të dytë radhazi Kupën. Në krahun tjetër, te Kukësi do provojnë të ringrihen, duke nisur që nga sezoni i ardhshëm në Kategorinë e Parë.
(J.S/)