Tue, Nov 26, 2024

Presidentja Osmani nuk mbështet letrën që Gërvalla i dërgoi KiE: U bë pa koordinim dhe pa konsultim

  • PublishedMay 16, 2024

Letra e dërguar presidentit të AP të Këshillit të Evropës, që thotë se është letër e përbashkët e tre institucioneve, nuk është dakorduar me Presidenten, Vjosa Osmani.

Në një përgjigje, Bekim Kupina, Këshilltar për Media në zyrën e presidentes thotë se një konsultim paraprak nuk ka ndodhur.

“Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e  tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, thuhet në përgjigjen e presidencës.

Ndërkohë shtojnë se Osmani po punon që Kosova të futet në agjendën e një seance tjetër.

“Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.   Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, përfundon Presidenca përgjigjen.


AlbaniaWeb.net