“Thoni se janë të ndershëm e familjarë, por… “, Felaj akuza të forta ndaj opozitës: SPAK të hetojë Strukturën e PD për Mbrojtjen e Votës, rekrutuan kriminelë
Ermonela Felaj i është drejtuar me fjalë të ashpra opozitës sot në Kuvend. Teksa mbante në duar foton e autorit të vrasjes së efektivit të “Shqiponjave”, së bashku me anëtarë të PD në Strukturën e Mbrojtjes së Votës në 2021, ajo tha se është e turpshme që pas vrasjes në Fier, nuk pati asnjë reagim prej tyre dhe as distancim.
Felaj tha se SPAK duhet të hetojë, duke shtuar se ngritja e Strukturës së Mbrojtjes së Votës në PD në zgjedhjet e 2021, rekrutoi elementë kriminalë.
Më tej ajo u përplas me demokraten Jorida Tabaku, të cilës në cilësinë e drejtueses së seancës, i fiku mikrofonin duke i thënë se nuk ka të drejtë që të komentojë fjalën e saj.
“Këta njerëz janë përdorur nga politika në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, 2021. U krijuan të ashtëquajturat struktura e mbrojtjes së votës, për të cilën keni thënë se janë profesionist. Dhe unë e besoj këtë. Ngjarja që ndodhi në Elbasan, ajo që ndodhi në Fier, atëherë kjo tregon se në zgjedhjet e 2021, janë mobilizuar dhe rekrutuar elementë kriminalë. Kjo çështje që u ngrit si pretendim ka ngelur pa u hetuar sepse është marrë prokuroria jo kompetente.
Ftoj policinë kriminale, dhe s’ka nevojë të bëjë kallëzim, që t’i rikthehen historisë së krijimit të këtyre strukturave. Ti rikthehen atyre deputetëve që kanë preferuar që të kenë kontingjent kriminal pas vetes për të mbledhur votën, sepse janë grupe kriminale dhe këtu do doja të kishte vëmendje dhe SPAK, sepse kjo nuk është lëndë për prokurorinë e Elbasanit, por për BKH dhe SPAK, dhe policinë kriminale.
Ne po i nxjerrim nga dera, ju po na i fusni nga dritarja kriminelët. Deputetë këtu kanë mbajtur deklarata zhgënjyese, as nuk kanë ngushëlluar për humbjen e jetës së punonjësit të policë dhe as nuk u distancuan nga personi në fjalë, apo t’i bënin thirrje që të dorëzohej”, u shpreh ajo.
“Ne po diskutojmë një marrëveshje me Interpolin…”, tha Tabaku, por menjëherë iu fik mikrofoni.
“Uluni, s’keni të drejtë të komentoni fjalën e një kolegu tjetër. Më kërkuat fjalën për procedurë, ua dhashë. Jo nuk keni të drejtë ta komentoni fjalën time. Kur t’ju vij radha do ta merrni fjalën. Tu vij turp për kolegët tuaj. Ata që thoni që janë të ndershëm dhe i njohim për familjarë, por janë vetëm kriminelë të pashpirt. Ishte koha të ulnit kokën dhe të mos flisnit për këtë që keni bërë, dhe jo të reagoni”, tha Felaj.
AlbaniaWeb.net