Wed, Nov 27, 2024

Sektori i Arbitrimit në FSHF, takim pune për rregulloren e arbitrave me trajnerët & kapitenët e ekipeve të “Final Four”

  • PublishedMay 16, 2024

Sektori i Arbitrimit në FSHF organizoi këtë të enjte një takim pune me katër skuadrat e “Final Four“, ku të pranishëm ishin trajnerët, kapitenët dhe drejtorët sportivë të klubeve, si edhe përfaqësues të FSHF-së.

Në qendër të diskutimeve të këtij takimi, që u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës, ishin vendimet e gjyqtarëve në ndeshjet e 36 javëve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe në Kupën e Shqipërisë.

Ishte vetë shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, ai i cili bëri një analizë të këtyre 36-të javëve të kampionatit dhe me anë të pamjeve filmike u diskutuan edhe disa prej rasteve më të nxehta, teksa theksoi se për marrjen e vendimeve të ndryshme, arbitrat dhe asistentët bazohen te kriteret dhe veprojnë në bazë të rregullores, gjë të cilën e bën edhe sistemi VAR, duke përfshirë edhe protokollin në ndërhyrjet për rishikim në fushë.

Të pranishmëve iu prezantuan situata të ndryshme gjatë lojës, si shkeljet dhe faullet në zonën e penalltisë, ndërhyrjet e dëmshme dhe prekjet me dorë dhe për të gjitha situatat e diskutueshme, u shpjeguan edhe arsyet në bazë të kritereve dhe rregullores së IFAB.

Në një prononcim për fshf.org pas përfundimit të takimit Shefi i sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, dha më shumë detaje rreth takimit me klubet e “Final Four”.

“Sektori i Arbitrimit organizoi një takim përpara “Final Four”, ku prezentë ishin trajnerët, drejtorët teknik dhe kapitenët. Sqaruam disa vendime të marra gjatë 36-të javëve të kampionatit, vendime që në disa momente kanë pasur edhe polemikat e tyre por ne patëm fatin e mirë që të japim dhe vendimet zyrtare për këto raste.

Në rast se vendime të kësaj natyre do të jenë prezent në  “Final Four” tashmë trajnerët dhe kapitenët e dinë se kush janë vendimet zyrtare dhe duhet t’ja transmetojnë edhe lojtarëve të tjerë në fushë. Pati debate për disa situata. Debatet ndonjëherë bëjnë që edhe ne të reflektojmë dhe si pjesë e arbitrimit të marrim vendime të sakta. Besoj se ja vlejti dhe kjo vjen edhe nga vlerësimi që dhanë të katërt përfaqësuesit e ekipeve pas mbledhjes”, – tha Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci.

Një koment mbi takimin e dha edhe kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj, i cili vlerësoi nismën e Sektorit të Arbitrimit para finaleve të sezonit.

“Ishte një takim që zhvilluam me sektorin e Arbitrimit në FSHF në prag të ndeshjeve të “Final Four” për të folur rreth ndryshimeve në rregullore ose për episodet gjatë kampionatit që kanë pasur dyshimet e veta. Si përfaqësues të ekipeve ne kemi për detyrë që të sqarojmë shokët e ekipit për disa vendime apo ndryshime në rregullore. Është e rëndësishme që të gjithë të jemi të qartë nga vendimet që do merren në fushë nga arbitrat dhe të mundohemi që të jemi sa më bashkëpunues”, – tha Bekim Balaj.

AlbaniaWeb.net