U-19 / Bylis shpallet kampion, siguron pjesëmarrjen për herë të parë në “UEFA Youth League”
Bylis U-19 është zyrtarisht ekipi fitues i kampionatit “Abissnet Superiore” U-19 për edicionin 2023/2024, duke siguruar për herë të parë në histori edhe pjesëmarrjen në “UEFA Youth League”.
Ballshiotët u kurorëzuan kampion pasi u renditën në vendin e parë pas 26 javësh me 36 pikë të grumbulluara. Bylis U-19 siguroi 15 fitore gjatë këtij edicioni, ndërsa numëron edhe gjashtë barazime dhe pesë humbje.
Sot u zhvillua edhe ndeshja e fundit e kampionatit për Bylisin U-19, e cila ishte në transfertë ndaj Partizanit U-19 në stadiumin “Arena e Demave”, që përfundoi në barazim pa gola 0-0.
Në përfundim të kësaj sfide u zhvillua edhe ceremonia e titullit kampion nga FSHF, ku anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i dorëzoi futbollistëve të Bylis U-19 trofeun e kampionit dhe medaljet.
Bylis U-19 do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të kompeticionit europian për klubet kampione “UEFA Youth League”.