Hilet procedurale të socialistëve ngrenë shqetësim për transparencën e Kuvendit
Mazhoranca socialiste votoi të enjten në seancë plenare, me 68 vota pro dhe 21 kundër dhe 2 abstenim, projektligjin që i hap rrugën shembjes së pronave publike për interesa private.
I gjithë procesi parlamentar i ndryshimeve ligjore në aktin normativ të vitit 2008 me titull “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta…,” u kontestua nga opozita si jotransparent dhe klientelist.
Nisma fillestare e deputetit Eduart Shalsi, që synonte kalimin e funksionit nga Ministria e Financave tek ministria përgjegjëse për Ekonominë , u transformua kryekëput në komisionin e Ekonomisë të mërkurën, duke i hapur dritën jeshile shkëmbimit apo shembjes së pronave publike në rastet kur këto të fundit pengojnë projekte private.
Propozimet erdhën nga deputetët Blerina Gjylameti dhe Alban Xhelilaj dhe nuk iu nënshtruan konsultimit publik e as atij institucional, dhe nuk u botuan në faqen zyrtare të Kuvendit deri ditën e votimit në seancë.
Pavarësisht këmbënguljes së opozitës për ta tërhequr projektligjin dhe për t’ia nënshtruar atë një konsultimi paraprak socialistët nuk u tërhoqën.
Po, votimi i këtij projektligji nuk është procesi i parë parlamentar i kontestuar si jo i rregullt.
Disa javë më parë, një projektligj shumë i rëndësishëm që bënte ndryshime thelbësore në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”, u ndryshua në minutën e fundit pa konsultim dhe pa transparencë sipas një drafti-propozimesh që solli qeveria në komisionin parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin.
Organizatat e shoqërisë civile ishin thirrur në dëgjesa për një draft fillestar të deputetëve dhe jo për versionin final që u miratua në Kuvend.
Një taktikë e ndjekur nga deputetët socialistë që duket se luan me kufijtë e ligjores, por që dukshëm nuk synon të jetë transparente dhe shmang përfshirjen e grupeve të interesit, publikun e gjerë dhe institucionet e tjera, është ndjekur dhe në projektligje të tjera gjatë muajve të fundit.
Për ekspertët këto praktika tregojnë mungesë përgjegjshmërie të institucionit të Kuvendit, shkelje të procedurave të rregullta parlamentare dhe hedhin hije dyshimi për konflikt interesi apo lobingje të tjera që lidhen me ndryshimet ligjore të kaluara në këtë mënyrë.
Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike, një organizatë që monitoron punën e Kuvendit, i tha BIRN-it se, “këto nisma që paraqiten si nisma deputetësh, s’kanë plotësuar standardet minimale të llogaridhënies e transparencës publike”.
“Kemi të bëjmë me nisma që dyshohet të jenë në konflikt interesi, dyshohet të jenë produkte të lobingjeve dhe interesave financiare të grupeve të caktuara dhe që kanë shkelur dukshëm procedurat parlamentare”, shtoi ai.
Sipas Krasniqit një procedurë normale, demokratike dhe transparente do të duhej të kalonte fazën e konsultimit me publikun dhe me institucionet.
Duke iu referuar projektligjit të fundit që i hap rrugë shembjes dhe shkëmbimit të pronave publike, ai beson se konsultimet duhej të bëheshin me të gjitha institucionet që përfshihen në rastin konkret si; Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Drejtësisë, apo institucionet që merren me çështje të pronësisë, por dhe organizmat partnere të Bashkimit Europian, që mbulojnë këto problematika.
“Fakti që ka injoruar çdo aktor ka kaluar limitet e asaj që quhet arroganca e pushtetit dhe lidhet me interesa elektorale”, theksoi Krasniqi.
Ndërsa Gjergji Vurmo, drejtor programesh në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM mendon se Kuvendi është para sfidave të rëndësishme që lidhen pikërisht me rritjen e integritetit ligjbërës.
“Aktualisht, sfidat më të rëndësishme për legjislativin shqiptar janë dy ; së pari rritja e përgjegjshmërisë së institucionit dhe integritetit të procesit në kuadër të funksionit parësor të tij, atij të ligjbërjes dhe së dyti, forcimi i kontrollit parlamentar ndaj ekzekutivit”- i tha ai BIRN-it.
Sfida e parë, sipas Vurmos, “qartësisht ka të bëjë me një nga “hiletë” e përdorura ndër vite edhe më parë për të ‘trafikuar’ pa konsultime dhe jashtë vëmendjes publike dispozita të caktuara në ligje për t’iu shërbyer interesave të dyshimta”.
Vurmo beson se kjo problematikë do të shmangej me ndryshime ligjore që sanksionojnë konsultim publik dhe për nismat e deputetëve dhe më tej një procedurë më transparente të hartimit të ligjeve nga ana e qeverisë.
IDM ka kërkuar adresimin e këtij ‘boshllëku ligjor”, duke kërkuar që, “edhe amendimet e deputetëve t’i nënshtrohen detyrimisht konsultimit publik”.
Nga ana tjetër IDM rekomandon që, “për të parandaluar ligjet me porosi të rishikohet rregullorja e Këshillit të Ministrave për të integruar dispozita të elaboruara që rrisin integritetin dhe transparencën e procesit të hartimit të projekt-ligjeve dhe projekt-vendimeve.
“Pasi aktualisht ky proces kaq i rëndësishëm ‘rregullohet’ vetëm me një gjysmë dispozite e cila sanksionon vetëm një parim (krejtësisht të gabuar në këtë rast) – atë të konfidencialitetit”, përfundoi Vurmo.