Mon, Nov 25, 2024

Pësuan 4 gola, por Ancelotti është i qetë: Ishim perfekt, feston edhe Xavi: Më uroi Laporta

  • PublishedMay 20, 2024

Një javë përpara fundit, në La Liga nuk ka më asnjë dilemë, u zbardhën të gjithë verdiktet. Me titullin në “xhep” prej kohësh, Real Madrid i ka kthyer në stërvitje ndeshjet në Spanjë, gjithçka në funksion të finales së madhe në Champions League, por ndeshja e tyre e fundit kundër Villareal nuk la një shije të mirë, katër gola të pësuar, për më tepër nga i njëjti lojtar, norvegjezi Sorloth, i cili falë “pokerit” kundër Realit shkon në kuotën e 23 golave duke qenë kandidati kryesor për të fituar “Këpucën e Artë” në La Liga.

Për ekipin e Carlo Ancelottit, realizuan Arda Gyler, autor i një dopiete, ndërsa Joselu dhe Lucas ishin autorët e golave të tjerë, duke bërë që ky takim të mbyllej në barazim 4-4: “Objektivi nuk ishin pikët, sepse nuk na duhen më, por loja, të zhvillonim një ndeshje të mirë. Gjithçka shkoi perfekt, nuk jam aspak i shqetësuar për 4 golat e pësuar. Kemi dhe dy javë kohë për të përgatitur finalen e Champions League”, u shpreh Ancelotti.

Një fitore të pastër 3-0 siguroi Barcelona përballë Rayo Vallecano-s, një sukses që i jep zyrtarisht vendin e dytë në Spanjë. Lewandowski dhe Pedri me një “dopietë” ishin autorët e golave për ekipin blaugrana. Në përfundim të ndeshjes, Xavi u ngacmua në lidhje me të ardhmen e tij: “Nëse do të kishte ndonjë të re do t’iu njoftoja si gjithnjë. Unë kam një kontratë, presidenti më uroi për fitoren. Falënderoj tifozët për mbështetjen e tyre”, u shpreh Xavi ndër të tjera.

Së bashku me Realin dhe Barcelonën, në Champions League shkojnë Girona dhe Atletico Madrid. Bilbao dhe Sociedad në Europa League, ndërsa Betis në Conference League. Bien nga kategoria, Cadiz, Granada dhe Almeria.

()

AlbaniaWeb.net