Sezon fantastik te Sivasspor, shifrat mbresëlënëse të Rei Manaj
Fatmirësisht, në këto dy-tri vitet e fundit Kombëtarja shqiptare nuk ka vuajtur për lojtarë sulmues, teksa në arenën ndërkombëtare janë dalluar shumë emra të cilët kanë arritur një nivel të caktuar, aq sa është i mjaftueshëm për të kontribuar në ekipin përfaqësues.
Përveç Manajt dhe Cikalleshit të cilët luajnë në Turqi, të gjithë të tjerët, aktivizohen në kampionate të ndryshme dhe padyshim me koeficient vështirësie jo të njëjtë. Padyshim që është më e lehtë të shënosh në Emiratet e Bashkuara Arabe apo Rusi, sesa në Premier Ligë apo La Liga, pa u munduar të ulim cilësitë e njërit apo tjetrit. Në total, të gjithë sulmuesit që janë grumbulluar nga Silvinjo kohët e fundit, kanë realizuar 67 gola, (Seferi, Uzuni, Cikalleshi, Manaj, Daku dhe Broja).
SHIFRAT – Është fakt që Rei Manaj ka numrin më të lartë të golave të shënuar në këtë sezon. Sulmuesi gjithashtu është edhe më efektivi, duke tundur rrjetën çdo 115 minuta. Lushnjari ka prekur 22 herë rrjetën, 18 në kampionat dhe 4 në Kupë. Këtë shifër golash e ka arritur në 35 ndeshje për Sivasporin. Kujtojmë këtu edhe 3 asiste të dhëna nga 27- vjeçari. Pas tij renditet Cikalleshi, i cili ka shënuar 12 gola me Koniasporin, të gjitha në kampionat dhe këto i ka mundësuar nga 33 ndeshje që ka luajtur gjithsej. Sokoli ka dhënë gjithashtu edhe 5 asiste për shokët e skuadrës, teksa mesataren e shënimit e ka çdo 196 minuta. Seferi dhe Uzuni janë në kuotën e 11 golave.
Taulanti i ka gjetur në 25 ndeshje me Bani Jas në Emirate, duke regjistruar një mesatare 194 min për gol, ndërsa Myrto si pjesë e Granadës ka festuar po 11 herë në 34 ndeshje. Mesatarja e Uzunit është një gol çdo 224 minuta, ndërsa ka dhënë edhe një asist. Renditjen e vijon Mirlind Daku, me 9 gola në 32 ndeshje në Rusi. Sulmuesi i Rubin Kazanit shënon çdo 263 minuta dhe është i treti për numrin e asisteve të dhënë, 4 të tillë. Ndërkohë, listën e mbyll Armando Broja që ka shënuar vetëm 2 herë këtë sezon, duke qenë dhe i vetmi që ka ndërruar skuadër në janar, nga Çelsi te Fullhemi. Sulmuesi është aktivizuar me minutazh të pakët në 27 ndeshje, ku ka tundur 2 herë rrjetën si edhe dhënë një asist. Mesatarja e tij është një gol çdo 388 ndeshje.