Guardiola “pushton” Anglinë, për herë të 5-të zgjidhet trajneri i vitit
6 tituj në 7 vitet e fundit, titulli i katërt radhazi në Premier League, si askush tjetër më parë, shifra këto që konfirmojnë dominimin absolut të Man.City në Angli. Për herë të pestë, Pep Guardiola u shpall këtë sezon trajneri më i mirë në Premier League, duke lënë pas emra si Arteta, Klopp apo Unai Emery i Aston Villa-s. Si një kavalier i vërtetë, Guardiola nuk harroi rivalët e tij në këtë garë duke shprehur mirënjohjen e tij, pasi fal tyre, ai dhe City u shtynë në limite:
“Dua ta ndaj këtë çmim sidomos me Mikel Artetën për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri në ndeshjen e fundit, duke na shtyrë në kufijtë tanë. Sigurisht, ky çmim është edhe për Jurgen Klopp, për betejat e paharrueshme për shumë e shumë vite. Dhe për Unai Emery, që ka bërë diçka të pabesueshme përsëri, duke e çuar Aston Villën në Champions. Është nder të jem përkrah të gjithëve dhe të fitoj këtë trofe”, u shpreh Pep Guardiola.
Vetëm ish-trajneri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, e ka fituar çmimin më shumë herë se Guardiola (11 herë).
()