“Shpallja e Berishës non-grata në Londër, pa transparencë”, Gjekmarkaj takim në parlamentin anglez: Ish-kryeministri e kontestoi, vendimi krijoi shumë zhurmë
Nënkryetari demokrat i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka ngritur çështjen e shpalljes “non-grata” të ish-kryeministrit Berisha edhe në parlamentin anglez.
Ai u takua në Londër me kryetarin e grupit të miqësisë me Shqipërinë, deputetin e dhomës së komunave Martin Vicker.
“Interesimit të tij për zhvillimet politike në Shqipëria iu përgjigja duke i shpjeguar shqetësimet e opozitës dhe të shoqërisë shqiptare për arrestimin e liderit të opozites pa akuzë, pa prova dhe pa hetim në kundërshtim me Kushtetutën e vendit duke i dhënë kësaj ngjarje konotacion të theksuar politik”, bëri të ditur Gjekmarkaj.
“Po ashtu duke i shpjeguar rolin që Sali Berisha ka patur e ka në historinë e këtyre 34 viteve në Shqipëri dhe sot si lider i konfirmuar i opozitës shpreha mendimin që vendimi i shpalljes së tij “non grata” nuk është shoqëruar me informacion e transparencë në raport me shoqërinë shqiptare e cila meriton të verteta nësa ka të tilla per simbolikat që Berisha mbart. Në këtë kontekst shumë interpretime dhe zhurma ka shkaktuar ky vendim dhe z. Berisha i ka dhënë të drejtën e kontestimit nëpërmjet një procesi ligjor po në Angli. Në një vend demokratik kur pjese të medha të shoqërisë besojnë se lideri i opozites mbahet i ndaluar politikisht kjo krijon dyshime mbi vetë sistemin e drejtësisë, thelbin e natyrën e demokracisë!”.
Gjekmarkaj tha gjithashtu se gjatë takimit i ka kërkuar deputetit britanik që Parlamenti i vendit të tij të ketë një prani të shtuar në Shqipëri vitin e ardhshëm kur të mbahen zgjedhjet parlamentare.
“I kërkova zotit Vikerc një prani më të shtuar të parlamentarve anglez gjatë vitit elektoral në Tiranë. Ndikim më të madh mbi qeverinë shqiptare per të arritur një reformë zgjedhore konsensuale si parakusht per zgjedhje të lira e të ndershme! Në këtë kontekst vizitën e sekretarit Camerun e shohim si një akt domëthënes per forcimin e bashkëpunimit mes vendeve tona”.
AlbaniaWeb.net