“Operacioni i SPAK faktoi lidhjet e dyshuara mes politikës dhe krimit të organizuar”, ekspertët: Më parë hetimet janë ndërprerë ose nuk janë thelluar
Gjatë fundjavës Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ndërmori një operacion në shkallë të gjerë duke lëshuar 50 urdhër arreste kundër eksponentëve kryesor të krimit të organizuar në vend.
Hetimi i SPAK kundër 7 organizatave kriminale i bazuar tek të dhënat e aplikacionit të koduara Sky ECC dhe EncroChatt, nuk ka zbardhur vetëm 18 episode kriminale – të cilat luhaten nga vrasja te ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit, por ka bërë të dukshme dhe ka faktuar edhe lidhjet mes grupeve kriminale dhe politikës në Shqipërisë.
Të dhënat e bëra publike nga ky hetim i SPAK tregojnë se tre deputetë të Partisë Socialiste, nga të cilët dy nga legjislaturat e shkuara dhe një nga legjislatura aktuale, kishin familjarë ose janë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aktivitete kriminale si pjese e strukturave të krimit të organizuar.
Sipas ekspertëve këto të dhëna janë dëshmi të lidhjeve të forta midis krimit të organizuar dhe politikës në Shqipëri, të cilat janë rrënjosur prej dekadash.
“Politika dhe krimi kanë ekzistuar prej dekadash në simbiozën më të shëmtuar në vendin tonë – njëra palë ushqente tjetrën dhe të dyja se bashku janë ushqyer mbi kurrizin e shqiptarëve”, tha Redion Qiriazi, ekspert sigurie me eksperiencë 15-vjeçare nw studimin e krimit të organizuar.
Ndërkohë Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, i tha BIRN se lidhjet midis krimit dhe politikës në Shqipëri nuk janë rastësore, por një investim proaktiv i organizatave të krimit të organizuar për të “siguruar mbrojtje ndaj goditjeve apo dënime sa më të lehta”.
Dyrmishi theksoi se pikërisht për shkak të këtij investimi dhe lidhjeve të forta mes krimit dhe politikës edhe suksesi i drejtësisë është ende në pikëpyetje.
“Ndarja e krimit nga politika, administrata dhe ekonomia ka për të qenë një operacion afatgjatë dhe mendoj se me gjithë kahun pozitiv të deritanishëm, suksesi i këtij operacioni nuk është akoma i garantuar”, tha ai.
Operacioni i SPAK
Të shtunën me 18 maj, SPAK njoftoi mbylljen e njërit prej operacioneve më të mëdha kundër krimit të organizuar në vend. Sipas njoftimit për shtyp 7 grupe kriminale me shpërndarje thuajse në të gjithë vendin u goditën, ndërsa u ngrit akuzë ndaj 50 personave.
Nën akuzë u vu Arben Ndoka, ish-deputet i Partisë Socialiste i shpallur në kërkim dhe një listë e gjatë me bashkëpunëtorë dhe armiq të tijtë, përfshi figura të njohura të botës së krimit, si Astrit Avdyli, Gjergj Culkali, Emiljano Shullazi, Endrit Dokle dhe të tjerë.
“Operacioni i drejtuar nga SPAK dhe i rënë dakord me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi,” bëri të ditur SPAK në një njoftim zyrtar.
SPAK njoftoi sekuestrimin e pasurive me vlerë rreth 4.5 milionë euro, përfshirë gati 1 milionë euro në para të thata, orë me vlerë rreth gjysmë milion euro apo gjysmë milion euro të tjera automjete, pesë prej të cilave ishin të blinduara. Katërmbëdhjetë persona u arrestuan në Shqipëri gjatë operacionit, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
SPAK bëri të ditur se zbardhi 18 episode kriminale, përfshirë vrasje, tentativa për vrasje, bomba, kultivim apo trafikim droge e të tjera. Goditja u bë e mundur falë informacioneve të siguruara prej autoriteteve franceze nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat, dy aplikacione celularësh që besohej se ofronin komunikim të sigurt dhe që ishin popullore për figurat e krimit të organizuar.
Për ekspertët e sigurisë operacioni është një hap i suksesshëm, që do sjellë rritje të besimit te drejtësia, por që duhet të shihet vetëm si një hap i parë.
“Arrestimet e fundit padyshim dëshmojnë për një rritje të efektshmërisë dhe efikasitetit të SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend”, tha Redion Qirjazi.
Arjan Dyrmishi theksoi se operacioni duket se dëshmon një ndryshim në mënyrën se si po zhvillohen hetimet. Sipas tij ka një ndryshim me hetimet e cekëta të mëparshme që ndalonin te përsonat e kapyr në flagrancë dhe nuk shkonin te organizatorët e lehtësuesit.
“Shumë rrallë hetimet mund të jenë shtrirë për të përfshirë dhe personat lehtësues që formojnë miksin e lartëpërmendur”, tha ai ndër të tjera.
Nga ana e tij eksperti i sigurisë Pëllumb Nako, oficer i Policisë së Shtetit në pension, shprehet se ky operacion është vetëm një hap i parë, por sheh me optimizëm faktin që hetimet nuk u ndërprenë kur u arrit te emra politikanësh.
“Kjo sepse më parë hetimet në këtë drejtim ose janë ndërprerë fare ose dhe nuk janë thelluar duke rezultuar të pjesshëm pa u shkuar deri në sekuestrime pasurish e akte të tjera”, thotë ai.
Tentakula të shtrira
Për Pullumb Nakon aksioni i SPAK dëshmon për lidhje të forta mes krimit dhe politikës. Këto lidhje sipas tij ishin të perceptuara dhe të përmendura në media, por mohoheshin nga klasa politike.
Por ai shprehet i shqetësuar për përmasat e kësaj lidhje dhe infiltrimin e strukturave shtetërore nga organizatat kriminale. Sipas tij SPAK provoi përmasat e krimit të organizuar, që përfshin individë që hynë si politikanë në parlament, pushtetarë lokalë, investitorë të ashtuquajtur strategjikë dhe punonjës të niveleve të ndryshme të policisë.
Nako tha se kjo situatë ka sjellë një krim të organizuar gjithmonë e më të fortë, i cili veç të tjerash ka futur duart edhe në fondet publike.
“Të gjithë të lidhur në grup dhe në bashkëpunim ndër grupe dhe me financa të fuqishme që garantojnë paprekshmëri nga organet e drejtësisë, mbrojtje politike dhe ligjore për të kryer më pas investime publike nëpërmjet fondeve publike”, theksoi ai.
Nako shtoi se përtej operacionit situata është e rëndë, ndërsa paratë e pista rrezikojnë ekonominë e vendit.
“Pastrimi i parave në vendin tonë duke qartë se sa përmasa alarmante ka për ekonominë dhe për vetë shoqërinë shqiptare”, tha ish-oficeri i lartë i policisë.
Për ekspertët lidhjet e thella mes krimit dhe politikës janë të dukshme prej kohësh. Qirjazi përmend se të njëjtat organizata kriminale të goditura në këto operacione, kanë qenë më herët pjesë e fushatave elektorale dhe kanë bërë grumbullim votash për partitë politike dhe nga ana tjetër kanë përfituar akses në fondet publike.
“Këto të dyja janë faqet e kundërta të së njëjtës monedhë. Mjafton të përmendësh këtu ndërhyrjet e grupeve kriminale në fushata elektorale, financimet e fshehura të partive politike, tendera të fituara nga persona me akuza penale, si dhe politikanë e drejtues lokalë të dënuar për korrupsion apo lidhje me struktura kriminale, dhe kushdo mund të kuptojë se krimi dhe politika kanë qenë partnerë të pandashëm”, tha ai.
Për Dyrmishin politika është fajtore edhe për aksesin që krimi i organizuar ka fituar në policinë e shtetit. Ai theksi se policia ka qenë që herët nën presionin financiar e korruptues të këtyre strukturave kriminale dhe se “në mungesën e një sistemi efektiv llogaridhënie dhe ndërhyrjet politike frekuente, nuk ka qenë e vështirë për krimin e organizuar të shtrinte ndikimin edhe në këtë sektor”./
AlbaniaWeb.net