Sun, Nov 24, 2024

Studimi: Kripë pa Natrium për të Ruajtur Shëndetin e Zemrës

  • PublishedMay 23, 2024

Kripa është një përbërës thelbësor në kuzhinën tonë, por konsumimi i tepërt i saj mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e zemrës. Një studim i fundit ka zbuluar se përdorimi i zëvendësuesve të kripës mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru. Prandaj ekspertët si zgjidhje i referohen një zëvendësuesi të kripës të përbërë nga alternativa me më pak natrium. AgroWeb.org ju sjell detajet kryesore të këtij studimi dhe mënyrën se si zëvendësuesit e kripës mund të përmirësojnë shëndetin tuaj.

Studimi dhe Gjetjet e Tij

Studimi i publikuar në revistën Heart, analizoi të dhënat e mbi 21,000 pjesëmarrësve nga 21 prova klinike të ndryshme. Rezultatet treguan se përdorimi i zëvendësuesve të kripës që përmbajnë një përzierje të klorurit të natriumit dhe klorurit të kaliumit, mund të ulë presionin e gjakut dhe të reduktojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe goditjeve në tru.

Michelle Routhenstein, një dietologe preventive kardiologjie në Entirely Nourished, thotë se këto gjetje janë ashtu siç pritej.

“Ne tashmë kemi fakte klinike që tregojnë se dietat me shumë natrium janë të lidhura me sëmundjet kardiovaskulare për shkak të ndikimit të tyre negativ në presionin e gjakut dhe shëndetin, funksionin dhe integritetin e enëve të gjakut, kështu që rezultatet nuk janë befasuese,” shpjegon ajo. “Konsumi i tepruar i kripës kontribuon në rritjen e presionit të gjakut, dëmtimin e arterieve dhe mbajtjen e lëngjeve, të gjitha këto rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.” sipas ekspertëve të studimit.Prandaj, ulja e kripës në dietën tuaj mund të përmirësojë presionin e gjakut në nivele më të shëndetshme, duke ulur në këtë mënyrë rrezikun tuaj për ngjarje kardiovaskulare.

Si Ndihmojnë Zëvendësuesit e Kripës?

“Zëvendësimi i kripës thjesht do të thotë zëvendësimi i një pjese ose i gjithë kripës së tavolinës në dietën e një personi me alternativa që përmbajnë më pak natrium ose madje përfshijnë minerale të tjera,” shpjegon Routhenstein. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, rekomandimi ditor për natrium është 2300 mg/ditë, me një kufi ideal prej 1500 mg/ditë e kjo shifër ulet nëse keni probleme me zemrën.

Ulin Presionin e Gjakut

Zëvendësuesit e kripës ndihmojnë në uljen e sasisë së natriumit të konsumuar, i cili është një nga faktorët kryesorë të presionit të lartë të gjakut. Ulja e konsumit të natriumit dhe shtimi i kaliumit në dietë mund të ndihmojnë në balancimin e niveleve të presionit të gjakut.

Përmirësojnë Shëndetin e Zemrës

Përdorimi i zëvendësuesve të kripës mund të ulë incidencën e sëmundjeve të zemrës dhe goditjeve në tru. Kaliumi, një përbërës kyç i këtyre zëvendësuesve, ka një rol të rëndësishëm në ruajtjen e funksionit normal të zemrës dhe në parandalimin e aritmisë.

Zëvendësuesit e kripës mund të jenë një mënyrë efektive për të përmirësuar shëndetin e zemrës dhe për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Duke ulur sasinë e natriumit dhe rritur kaliumin në dietë, ju mund të ndihmoni në mbajtjen e një presioni të shëndetshëm të gjakut dhe të përmirësoni shëndetin tuaj të përgjithshëm./AgroWeb.org