Erbim Fagu nuk konfirmohet, Tirana me trajner të ri
Erbim Fagu nuk është trajneri i Tiranës. “Panorama Sport” mëson se bardheblutë kanë ndarë rrugët me trajnerin, por vendimi nuk është bërë zyrtar. Po kështu, Tirana pritet që pas të dielës të nisë punën për marrjen e trajnerit të ri, i cili me shumë mundësi do të jetë shqiptar.
Asnjë bisedë nuk është kryer konkretisht, por vetëm janë ide menaxherësh. Këtë sezon, Tirana vetëm dy javë ka qenë në krye të klasifikimit. Po kështu, viti 2024 ka qenë një tmerr më vete për Tiranën. Në 18 javë të luajtura ka marrë 24 pikë, me 6 fitore dhe gjashtë barazime. Bardheblutë në 2024-ën janë të tetit në renditje dhe më keq sesa ta kanë bërë, Erzeni e Kukësi. Tiranën e shpëtojnë 4 fitoret me Kukësin dhe tri fitoret e një barazim me Dinamon, që bëjnë 22 pikë nga 50 të mundshmet. Ekipi i Tiranës ka 17 pikë më pak nga kampionati i shkuar. Jo vetëm kaq, por është 23 pikë nga sezoni që solli titullin në kryeqytet.
EUROPA – Tirana edhe pse s’merr pjesë në “Final 4”, do të luajë në Ligën e Konferencës edhe pse është renditur e pesta në kampionat, për shkak se Skënderbeu është ende i dënuar nga UEFA. Për bardheblutë, festa është dyfish, për faktin e thjeshtë se me koeficientin që ka siguruar në vitet e fundit, shkon direkt në vazon e skuadrave të forta në shortin e turit të parë në Ligën e Konferencës, me shanse më të mëdha për të kaluar një tur. Bardheblutë kanë një koeficient 5.5 për këtë edicion, mëse i mjaftueshëm për të qenë sipas përllogaritjeve mes 26 ekipeve më të forta në shortin e turit të parë ku marrin pjesë 52 skuadra.