Ekipi fitues nuk ndryshohet, Shehi i ka “ngrirë” titullarët për finalen e titullit
Partizani shkon në finale me gjashtë fitore radhazi dhe si skuadra më në formë e këtij fundi sezoni. Të dielën në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00 përballë do të jenë rrogozhinasit e Egnatias, me Shehin, që pritet të mos e ndryshojë formacionin startues.
Prej javësh trajneri ka arritur të gjejë pikat e duhura të referimit dhe të caktojë 11-shen standarde që duhet të zbresë në fushë në ndeshje kaq të rëndësishme. Kështu, Qirko duket sikur e ka “blinduar” vendin mes shtyllave, ndërsa edhe Sembene ka fituar avantazh ndaj gjithë mbrojtësve të tjerë. Sota, Hadroj dhe Atanaskoski konsiderohen të palëvizshëm.
Edhe mesfusha është 100% e caktuar, me Maget-Murataj-Rrapaj, që janë ndër mesfushat më të mira të këtij kampionati. Në sulm pritet që Shehi ta nisë me treshen startuese kundër Skënderbeut, me Skukën, Mba dhe Bintsuka.
Tedi Cara, tashmë i rikuperuar nga dëmtimi, me shumë mundësi do të gjejë minuta në të dytën, për të zëvendësuar një mes Skukës dhe Bintsukës. Gjithsesi, deri të dielën planet edhe mund të ndryshojnë.