Artistët durrsakë bëjnë thirrje për më shumë hapësira për skulpturat urbane
Në oborrin e njërës prej shkollave 9-vjeçare të qytetit bregdetar që nga viti 1987 ka zënë vend një vepër, që ka fituar admirimin e nxënësve, mësuesve dhe kalimtarëve.
Edhe institucioni vetë shpesh herë thirret shkolla e “Dy gjelave”, duke marrë shkas nga figurat e instaluara mbi pusin që shërben si bazament.
“Drejtori e mirëpriti idenë time për krijimin e një këndi ndryshe për fëmijët në oborr,” kujton Fred Kedhi, i cili në atë kohë sapo ishte diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti i Arteve) dhe ishte emëruar mësues vizatimi në këtë shkollë.
“Bashkë me disa nxënës punuam rreth dy muaj, edhe për burimet e ujit rreth pusit,” tregon Fredi, të cilit i vjen mirë që vepra në përgjithësi është ruajtur për 37 vjet radhazi.
Djaloshi i viteve ’90 u largua drejt Italisë me anijet e eksodit nga porti i Durrësit, por e vazhdoi sakrificën edhe në vendin fqinj.
Ai përfundoi studimet në Akademinë e Breras, e njëjta shkollë e lartë ku ishte diplomuar edhe piktori shqiptar i përmasave evropiane, Ibrahim Kodra.
Franc Priska, një piktor i ri, pedagog në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës tha për BIRN se Fredi e ka ruajtur raportin e bashkëpunimit me artistët durrsakë.
“Tashmë studio “ArtMonumental” që ai dhe kolegia e tij, Kristina, drejtojnë në Itali janë bërë mbështetje edhe për artistët e rinj të shkollës artistike në Durrës,” shpjegoi Priska.
Shkolla “Jan Kukuzeli” që u rindërtua pak vite më parë, është dizenjuar me punime të përbashkëta nga artistët në të dy anët e Adriatikut.
Priska e ndjen se bashkëpunimi i mbështetur mbi studimin e vazhdueshëm i shërben shumë edhe përparimit e pasionit të nxënësve.
Aktualisht punimet e artistëve të rinj kanë zënë vend mjediset e jashtme të shkollës, por ata besojnë se, në një të ardhme të afërt mund të jenë konkurrentë në projektet për skulpturat urbane në sheshet e qytetit.
Zbatimi i projekteve të mëdha për sheshe e shëtitore në qytetin bregdetar largoi shumë prej veprave të instaluara prej kohësh, një pjesë e të cilave kanë mbetur në magazine.
Ndërkaq për sheshin “Liria” dhe për Shëtitoren bregdetare, si në Durrës edhe në plazh mungojnë platformat lidhur me veprat që duhen vendosur.
Mjaft prej tyre mendojnë se duhen ndriçuar përsëri figurat dhe ngjarjet e rëndësishme të qytetit 3.000-vjeçar.
Ndërsa më të rinjtë janë të prirur në veprat me frymë moderne, artistët me vite mbi shpatulla bëjnë thirrje për një rivlerësim të trashëgimisë artistike të qytetit bregdetar.
Idriz Balani, një nga skulptorët me përvojë në qytet e pranon nevojën e konkurseve për projektet e ardhshme.
Balani tha për BIRN se ka paraqitur në bashki një projekt të veçantë mbi vendosjen në lulishten e Mauzoleut të Dëshmorëve të dy veprave të punuara në vitet 1980.
Basorelievet e skulptorit Dhimitër Harallambi si dhe bashkëautorëve Qazim Kërtusha dhe Luan Berhami ishin vendosur në fasadat e Ndërmarrjes së Cigareve “Stamles” dhe në atë të Prefekturës së sotme.
“Të dy veprat qëndrojnë shumë mirë pranë kompleksit të Mauzoleut të Dëshmorëve, dhe mbi të gjitha shërbejnë për ta gjallëruar mjedisin e e saj,” tha Balani.
Ndërkaq Priska ka filluar të punojë me bashkë-mësuesit dhe nxënësit për ide të reja, gjithnjë brenda mjediseve të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”.
“Besoj se kur të jemi të bindur për cilësinë e temave që punojmë, do të paraqitemi edhe para publikut,” përfundoi Franc Priska.