“UEFA Regions’ Cup”/ Shqipëria mund edhe Estoninë, kuqezinjtë e mbyllin të parët & kalojnë në raundin e ndërmjetëm
Shqipëria e futbollit amator ka shkruar historinë në kompeticionin UEFA “Regions’ Cup” duke u kualifikuar në raundin e ndërmjetëm, ku tani do të përballen me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.
Kuqezinjtë dominuan në raundin para-eliminator të UEFA “Regions’ Cup” teksa triumfuan edhe në ndeshjen e fundit ndaj Estonisë me rezultatin minimal 1-0. Golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi Domeniko Kote.
Trajneri Ardian Haçi e nisi me këtë formacion titullar takimin ndaj Estonisë: Xhaferri (GK), Sokoli, Marindis, Imeraj, Pjetri, Alushi, Eshi, Kote, Bana, Loloci, Cibuku.
Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” ishte shumë e mirë për kuqezinjtë që edhe pse luajtën që nga minuta e 20-të me dhjetë lojtarë për shkak të daljes me të kuq të Marindis ja dolën mbanë të zhbllokonin rezultatin.
Në të 27-ën Domeniko Kote realozoi një gol shumë të bukur nga goditja e dënimit duke i dhënë avantazhin Shqipërisë. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Në fraksionin e dytë Shqipëria administroi rezultatin dhe në fund sfida u mbyll me fitoren e kuqezinjve.
Të gjitha takimet e raundit para-eliminator të grupit A u zhvilluan në Shqipëri nën organizimin e FSHF-së.
Në raundin e ndërmjetëm marrin pjesë 32 skuadra (30 që hyjnë direkt në këtë raund dhe dy fituesit e raundit para-eliminator). Shorti i hedhur në dhjetorin e viti 2023 ka përcaktuar edhe grupet e këtij raundit. Në total janë tetë grupe me nga katër skuadra, teksa Shqipëria është pozicionuar në Grupi 5 me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.
Në rast se kuqezinjtë do ta mbyllin në vendin e parë do të sigurojnë pjesëmarrjen e parë historike në finalet e UEFA “Regions’ Cup”.
Rezultatet e raundit para-eliminator të grupit A në UEFA “Regions’ Cup”:
Armeni (Vayk) – Shqipëri 0-4
Estoni (Saue JK) – Armeni (Vayk) 0-1
Shqipëri – Estoni (Saue JK) 1-0
Renditja:
Shqipëri 6 pikë
Armeni (Vayk) 3 pikë
Estoni (Saue JK) 0 pikë