Zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së, anëtarët marrin vendime të rëndësishme dhe miratojnë raportet financiare
Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF zhvilloi ditën e sotme punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit. Përveç delegatëve dhe anëtarëve, në këtë Asamble morën pjesë përfaqësues të qeverive europiane dhe botërore të futbollit, UEFA-s dhe FIFA-s, si edhe Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Ogerta Manastirliu.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka çeli punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së duke u uruar fillimisht mirëseardhjen delegatëve, anëtarëve dhe të ftuarve specialë.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ftoi znj.Ogerta Manastirliu të mbante fjalën e saj përshëndetëse. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e nisi fjalën përshëndetëse duke i uruar suksese ekipit Kombëtar në finalet e “Euro 2024”.
“Ky vit karakterizohet nga një seri aktivitetesh sportive, por më i madhi i futbollit shqiptar është padyshim kualifikimi në “Euro 2024”. Unë do të doja të përgëzoja kombëtaren tonë të futbollit dhe të gjithë ju për kontributin dhe angazhimin tuaj.Do të doja t’ju uroja suksese e rezultate sa më pozitive kombëtares që na bën të gjithëve krenarë. Ky është një moment i mirë për të bërë një bilanc të punës tuaj dhe ju këtë e shfrytëzoni maksimalisht, por gjithashtu edhe për të vendosur ato sfida me të cilat përballet futbolli në Shqipëri, me të gjithë punën dhe mbështetjen që ju jepet për të çuar përpara një prej sporteve më popullor në Shqipëri dhe botë sikurse është sporti i futbollit”, tha Ministrja Manastirliu, duke shtuar se projektet e përbashkëta si “Uniforma Ime”, “Topi Im” apo “Futbolli në Shkolla” kanë sjellë zhvillim në sportin e futbollit dhe kanë ndikuar në zbulimin e talenteve.
“Dua të përmend disa nga projektet dhe programet që ne i kemi realizuar së bashku përgjatë viteve të fundit dhe që presim t’i intensifikojmë edhe në vazhdim në kuadër të mbështetjes që ju jepni për zhvillimin e futbollit në vendin tonë sidomos te fëmijët. Disa nga projektet e suksesshme që shpresoj shumë që të vijojmë t’i zhvillojmë së bashku siç janë projektet “Uniforma Ime”, “Topi Im” apo projekte të mbështetura nga FIFA si “Futbolli në Shkolla” të cilat janë projekte që jo vetëm krijojnë dhe motivojnë frymën sportive në të gjitha shkollat tona por nga ana tjetër japin më shumë dimension, motivim dhe frymëzim aspekteve që lidhen me zhvillimin e sportit në vendin tonë dhe sigurisht edhe zbulimin e talenteve”.
Më tej, znj. Manastirliu vlerësoi strategjinë e FSHF-së “Futbolli për Kombin” që parashikon përfshirjen e më shumë se 23 mijë famijëve në sportin e futbollit.
“Strategjia juaj “Futbolli për Kombin” është një strategji që parashikon përfshirjen e më shumë se 23 mijë fëmijëve në sportin e futbollit dhe jam e bindur që një bashkërendim më i mirë mes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me FSHF-në do të bëjë të mundur arritjen e këtij objektivi për përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në sportin e futbollit nëpërmjet investimeve në infrastrukturë që janë shumë të rëndësishme”, tha ndër të tjera Ministrja e Arsimit dhe Sportit.
Punimet e Asamblesë së FSHF-së i përshëndeti edhe përfaqësuesi i FIFA-s, Gianni Manca, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar përshëndetjet më të përzemërta në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretarit së Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom, si dhe të gjithë administratës së FIFA-s.
“Është kënaqësi dhe nder i madh për mua që jam sot këtu në Tiranë për të përfaqësuar FIFA-n me rastin e Asamblesë suaj të Përgjithshme. Kjo shënon vizitën time të parë në vendin tuaj të bukur dhe do të doja që Shqipëria të kishte qenë pjesë e axhendës time edhe më parë, pasi do të kisha pasur mundësi të vizitoja këtë vend të mrekullueshëm më herët. Lejomëni të shpreh përshëndetjet më të përzemërta në emër të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, Sekretarit të Përgjithshëm të FIFA-s, Mattias Grafstrom, si dhe të gjithë administratës së FIFA-s. Është e mrekullueshme të dëshmosh pozicionin e fortë që futbolli shqiptar mban brenda futbollit europian dhe botëror. Kjo tregon qartë besimin që është krijuar ndër vite në sferën e futbollit, besueshmërinë dhe ndikimin që ka FSHF kur bëhet fjalë për qeverisjen e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, duke shënuar disa arritje kyçe. Së pari më lejoni të përmend infrastrukturën moderne të stërvitjes dhe stadiumet e reja. Në mbarë vendin ka pasur një implementim të suksesshëm të strukturave modernee të stërvitjes dhe rinovime gjithëpërfshirëse të stadiumeve. Këto përmirësime kanë rritur ndjeshëm infrastrukturën e futbollit në Shqipëri, duke i ofruar lojtarëve dhe tifozëve ambiente të klasit botëror. Gjithashtu, janë bërë përpjekje serioze për reformimin e garave kombëtare, veçanërisht me futjen e Final 4, që synon të rrisë pjesëmarrjen dhe të sigurojë një ekuilibër më konkurrues brenda ligës kombëtare, duke ngritur standardin e përgjithshëm të futbollit në vend. Kombëtarja A është kualifikuar me sukses në Kampionatin Europian 2024 në Gjermani, duke treguar rritjen e saj në skenë ndërkombëtare. Kombëtarja U-21 ka bërë paraqitje të mira në kualifikueset për Kampionatin Europian që do të mbahet në Sllovaki vitin tjetër. Gjithashtu qeverisja e përmirësuar dhe transparenca janë shumë të rëndësishme. FSHF ka përafruar praktikat e saj të qeverisjes dhe transparencës me praktikat më të mirat ndërkombëtare. Ky përkushtim ndaj integritetit dhe llogaridhënies e ka forcuar reputacionin e federatës dhe efikasitetin e saj operacional. Ka pasur një përpjekje serioze për të zhvilluar futbollin e vajzave në Shqipëri, duke ku janë krijuar shumë ekipe dhe liga të reja, që ka çuar në një shtimin e ndjeshëm të pjesëmarrjes së vajzave, promovimin e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në sport, gjë që shkon në përputhje me vizionin e FIFA-s kur bëhet fjalë për zhvillimin e futbollit. FSHF ka fituar një ekspozim më të madh ndërkombëtar përmes rolit aktiv të Presidentit të saj dhe stafit në forumet globale të futbollit. Organizimi i turneve ndërkombëtare e ka rritur më tej profilin e futbollit shqiptar. Një moment historik i rëndësishëm është organizimi i Kampionatit Europian të vitit 2025 për grupmoshën U-17, që do të jetë një ngjarje e madhe për vendin.
Këto arritje nënvizojnë përkushtimin e FSHF-së për të përmirësuar futbollin në Shqipëri dhe vendosjen e një themeli për sukses të qëndrueshëm si në skenën kombëtare ashtu edhe në ato ndërkombëtare. Ndërkohë, nuk mund të qëndroj këtu përballë jush dhe të mos ndaj sa krenare është FIFA me “Shtëpinë e Futbollit”, që përfaqëson zemrën e futbollit shqiptar. Presidenti i FIFA-s, Infantino pati kënaqësinë të merrte pjesë në inaugurim dhe vizita e tij nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit mes enteve qeveritare, federatave të futbollit dhe FIFA-s në ecjen përpara të iniciativave për zhvillimin e futbollit. Të gjitha këto janë plotësisht në përputhje me vizionin e FIFA-s dhe me siguri do të lënë një trashëgimi të qëndrueshme për të gjithë futbollistët e rinj në mbarë Shqipërinë. Ky projekt në vetvete është një dëshmi e progresit dhe përkushtimit brenda futbollit shqiptar. Është inkurajuese të shohësh një projekt të tillë zhvillimi dhe ne në FIFA jemi jashtëzakonisht krenarë që kemi luajtur një rol në këtë projekt transformues. Dua t’i uroj ekipit tuaj kombëtar sa më shumë fat këtë verë në kampionatin Europian EURO 2024. Skuadra juaj pësoi vetëm 4 gola në tetë ndeshjet tuaja kualifikuese dhe keni një mbrojtje të fortë.
Në emër të FIFA-s, të jeni të sigurt se ne jemi këtu, ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë mbështetjen tonë për ju. Faleminderit për mikpritjen dhe ju uroj një asamble të përgjithshme produktive” tha Gianni Manca.
I pranishëm në punimet e Asamblesë së FSHF-së ishte edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, i cili i përcolli komunitetit të futbollit shqiptar urimet më të mira të Presidentit Ceferin dhe administratës së UEFA-s.
“Sot ndjej realisht një emocion të madh që ndodhem para jush duke përfaqësuar UEFA-n në shtëpinë time, dhe para shumë miqve të vjetër qe ndodhen sot në këtë sallë. Lejomëni t’ju përcjell urimet më të mira të Presidentit Ceferin dhe administratës së UEFA-s. Më lejoni gjithashtu që fillimisht të përgezoj ekipin e Egnatias dhe Presidentin Demrozi që ndodhet këtu për titullin e parë kampion në historinë e këtij klubi, pas një ndeshje të luftuar dhe tepër të bukur mbrëmë në Air Albania, por gjithashtu dhe përgezime të gjitha klubeve të cilat janë kualifikuar tashmë në kupat e Europës. UEFA do të startojë vitin e ardhshëm një format të ri të kompeticioneve të klubeve, një format më ekzaltues dhe i cili do të gjenerojë dhe më tepër të ardhura në vitet në vazhdim për të gjithë nivelet e futbollit në europë. Ndaj deshiroj t’ju percjell urimet e mia më të mira dhe suksese në rrugetimin e ekipeve tuaja. Në të njëjtin moment, ne tashmë po përgatitemi për hapjen e kampionatit Europian të futbollit në Gjermani, që parashikohet të jetë dhe Europiani më i suksesshëm në histori. Ekipi jonë kombëtar zhvilloi një rrugëtim fantastik duke u kualifikuar në vendin e parë si asnjëherë më parë dhe tashmë jemi të gjithë me sytë nga Gjermania dhe nga djemtë e Kombëtares.
Federata Shqiptare e Futbollit është vazhdimisht në kërkim të zhvillimit të mëtejshëm, dhe është kthyer në një partner tepër të rëndesishëm për UEFA-n. Gjatë viteve të fundit, një numër i madh eventesh ndërkombëtare janë mikpritur në Tiranë. Kulmi ishte me finalen e Conference League në 2022, por gjithashtu këtë vit Tirana mikpriti dhe mbledhjen strategjike të 11 federatave Europiane apo Panelin e Grassroots, duke treguar dhe njëherë një lidership të rëndësishëm në arenën politike europiane. Viti i ardhshëm do të jetë dhe më i rëndesishëm, pasi Shqipëria po përgatitet për të pritur Kampionatin Europian U-17. Një event tepër i rëndësishëm i cili mund të shërbejë dhe si një katalizator për zhvillimin e mëtejshëm të talenteve të ardhshëm. Në aspektin e infrastrukturës, UEFA vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me Federatën Shqiptare të Futbollit për projektin e 100 fushave, dhe projekte të tjera infrastrukturore, duke e bërë Shqipërinë një nga vendet me investimet më të mëdha ne futboll, në raport me popullsinë gjatë 10 viteve të fundit. Duke mos dashur të zgjatem më tej, më lejoni të falënderoj nga zemra dhe njëherë Presidentin Duka për 10 vitet e mrekullueshme që kam qëndruar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe një falënderim për të gjithë ju për bashkëpunimin që kemi patur dhe vazhdojmë të kemi”, tha Denis Bastari.
Punimet e Asamblesë vijuan me fjalën e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi u uroi mirëseardhjen delegatëve dhe të ftuarve specialë, u shpreh se periudha mes dy asambleve ka qenë tepër intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha, si ai i kualifikimit për herë të dytë në histori në një Kampionat Europian.
“Periudha mes dy Asambleve ka qenë një periudhë tepër intensive, mbushur me ngjarje, arritje dhe emocione të mëdha. Kemi provuar gjatë më shumë se një viti, pothuajse të gjitha ato ndjesi që vetëm futbolli mund ti prodhojë: Emocionet, gëzimin, krenarinë, sakrificën, luftën sportive.
Por ndjenja më e fortë, që spikati, ishte krenaria, Krenari, e cila gjatë kësaj periudhe, i kaloi jo vetëm caqet e stadiumeve, por edhe ato të kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Në çdo kënd të botës, kudo ku jetojnë shqiptarë pati gëzim, hare dhe festë. Asnjë organizëm, individ, apo parti politike, nuk mund ta bëjë kurrë, atë që bën futbolli. Shqipëria, dikur jashtë hartës së pretendentëve, u kualifikua për herë të dytë në histori, brenda 8 vitesh, në finalet e Kampionatit Europian. U renditëm të parët në grupin tonë eliminator, duke dhuruar lojë spektakolare dhe shumë emocione. Kjo është një arritje shumë e madhe për futbollin shqiptar dhe tashmë këta djem, ky staf teknik dhe organizativ kanë hyrë në histori. Shorti na kishte vendosur në një grup të vështirë (këtë e tregon fakti se në një grup me pesë skuadra, 3 prej tyre, janë finaliste të Euro 2024), por ne patëm forcën që ti sfidonim të gjithë: Kundërshtarët, vështirësitë, pafatësitë, dëmtimet.
E nisëm rrugën tonë, me një humbje në Poloni. Por kjo, nxori në pah karakteristika shumë pozitive të grupit të futbollistëve dhe stafit: karakterin, sedrën sportive dhe sakrificën. Reagimi ishte fantastik dhe skuadra u bë gati e papërmbajtshme. Ajo reagoi në mënyrë të shkëlqyer, duke zhvilluar ndeshje të paharruara dhe duke e siguruar kualifikimin përpara mbylljes së edicionit.
Tashmë jemi finalistë. Përballë në grup, kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e “grupit të hekurt” të Euro 2024.Por ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi shumë respekt dhe vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për ti sfiduar, duke dhënë më të mirën me shqiponjën në kraharor dhe me himnin tonë në zemër me qëllimin e vetëm për t’u kthyer fitimtarë. Cilido të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky Kampionat Europian”, tha ndër të tjera Presidenti i FSHF-së.
Më tej, Presidenti Duka sipas rendit të ditës ftoi përfaqësuesen e Komisionit të Verifikimit, Rozeta Shira për të raportuar mbi thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në përputhje me Statutin. Në bazë të nenit 28 të Statutit përbëhet nga 22 klube të futbollit profesionist dhe po aq delegatë nga futbolli amator si dhe 3 delegatë për shoqatat e profesioneve të lidhura me futbollin.
Nga verifikimi i kryer nga Komisioni i Verifikimit, në këtë asamble nga 47 delegatë ishin prezentë 45 delegatë të klubeve e shoqatave anëtare të FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur në Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë vëren se thirrja e asamblesë së përgjithshme është kryer në përputhje me statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara.
Sipas Statutit, u kërkua që anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të miratonin rendin e ditës. Më tej u vijua me zgjedhjen e delegateve për të verifikuar procesverbalin e kësaj asambleje, ku Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku propozoi tre emrat: Agim Demrozi, Marius Sula dhe Kristjan Gjidoda , të cilët u votuan nga delegatët e pranishëm në Asamble. Më pas u votuan edhe delegatët e propozuar si vëzhgues të Asamblesë: Alban Xhaferri, Ardian Takaj dhe Mikel Furxhi.
Sipas rendit të ditës, Asambleja vijoi punimet duke miratuar procesverbalin e Asamblesë së kaluar, duke diskutuar raportin e aktivitetit të FSHF-së përgjatë vitit 2023, që përmban aktivitetet që nga Asambleja e Përgjithshme e mëparshme, prezantuar bilancin e konsoliduar dhe pasqyrat e fitimit dhe humbjes, si edhe raportin e auditorëve të pavarur dhe të jashtëm, miratimin e pasqyrave financiare të audituara për vitin 2023, miratimin e buxhetit për vitin 2024, emërimin e audituesve të pavarur dhe të jashtëm me propozim të Komitetit Ekzekutiv për auditimin e pasqyrave financiare te vitit 2024 që do të jetë “Grant Thornton”.
Gjithashtu u propozua edhe miratimi i buxhetit për vitin 2025 për arsye se Asambleja zhvillohet në gjashtë mujorin e parë dhe me qëllim që Federata të parashikojë më mirë vitin e ardhshëm financiar dhe mos ta fillojë vitin pa një buxhet të miratuar. Zv.Presidenti i FSHF-së, Arben Dervishaj, propozoi projekt-buxhetin për vitin 2025, të miratuar nga Komisioni i Financave dhe nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Në fund u miratua edhe buxheti i vitit 2025 me vendim unanim.
Shoqëria audituese për pasqyrat financiare të vitit 2024 u zgjodh kompania RSM e propozuar nga Komisioni i Financave dhe Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së.
Pjesë e rendit të ditës ishin edhe disa propozime për përditësimin e statutit, ku anëtari i KE-së, Envi Hicka shpjegoi se ndryshimet e propozuara janë të njëjta me UEFA-n dhe FIFA-n. Më pas u kalua në votim me anëtarët e Asamblesë që votuan pro ndryshimeve në statut.
Me miratimin e ndryshimeve në statut u mbyllën dhe punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.