EKSKLUZIVE/ “Nuk e imagjinoja kurrë këtë sukses”, trajneri i Egnatias: Mposhtëm frikën, thashethemet për Tiranën dhe e ardhmja e grupit (VIDEO)
Egnatia u ngjit në majën e futbollit shqiptar, teksa fitoi Kupën e Shqipërisë dhe kampionatin. Rrogozhinasit triumfuan në Kupë ndaj Kukësit, ndërsa në finalen e “Final Four” mundën Partizanin. Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova në një intervistë ekskluzive me Sport News në News 24, në emisionin e drejtuar nga Trevisa Tufa, preku çështje të ndryshme.
Tetova, jeni më të qartë tani për atë që arritur këtë vit, keni filluar ta kuptoni peshën e këtij suksesi?
Kemi filluar ta kuptojmë. Siç e dijmë, është një nga trofetë më të çmuar në këtë kampionat. Mendoj se normalisht, është trofeu i parë.
Më thuaj të vërtetën, e kishe imagjinuar se mund t’i fitonit të dy trofetë këtë sezon?
Jo, jo! Le të jemi realist, unë e thash edhe në intervistën pas ndeshjes. Gjithsesi, gjatë rrugës, duke parë veten që ishim komod, kontingjenti ishte dhe thamë përse mos ta provojmë.
Ky ishte një titull me dedikim mbi të gjitha për Dëamenan, e dërguat deri në fund amanetin e tij. Kishe frikë pas atij momenti tragjik, kishe frikë se çdo llogari, çdo gjë do të shkatërrohej?
Frikë ka patur, pasi gjithmonë është ajo shija që të lë te çunat. Ne ditëm të menaxhojmë situatën, duke bërë një premtim, që do t’i dedikonim atij çdo trofe.
Çfarë ndjesie kishe në finalen e madhe, kundër Partizanit në “Air Albania”, ishte e drejtë që të kalonit një tjetër provë pasi kryesuat kampionatin për më shumë se 30 javë?
Ne i kemi parë ndeshjet si të radhës. Kur vjen fundi, çdo gjë zbehet, pasi vijnë pushimet. Tifozëria i dha një indicie të bukur këtyre finaleve. Unë mendoj se çdo gjë e kemi merituar që nga fillimi deri tani.
Përballë kishin Shehin, kishit Partizanin, kishit ndonjë ndjesi të veçantë?
Nuk pata ndjesi. Ishte e vështirë për ta mbrojtur kupën. U kam kërkuar çunave vetëm ta shijojnë, pra për pjesën tjetër. Si Tirana dhe Partizani kishin në anën e tyre tifozërinë.
Në rrjet bëri shumë përshtypje edhe një urim nga ana e Goldi Halilit, kam përshtypjen se keni pasur shumë urime nga tifozët e Tiranës, i dhuruat një biletë për në Evropë, nuk lejuat që Partizani të feste, keni bërë jo pak edhe për Tiranën, përveç Rrogozhinës.
Këto janë supozime. Nuk e di nëse e kemi ndihmuar Tiranën, ne kemi luajtur ndeshjet tona, kemi qenë të fokusuar aty. Kemi qenë të fokusuar te ajo që ndodhi, të dy trofetë.
Unë e di që ju jeni nën kontratë me Egnatian edhe për dy vite, di gjithashtu që do të vijoni të qëndroni në krye të këtij ekipi, por a të tundon ndopak stoli i Tiranës, a sheh vetën një ditë në krye të Tiranës?
Kam pas një periudhë 6 mujore atyre, kam qenë si zëvendës-trajner. Kam pasur afrimitet. Nuk i dihet për të ardhmen.
Çfarë presim tani Tetova, ka shumë vite që një ekip nuk arrin të ruajë titullin kampion, a mundet ta bëjë diçka të tillë Egnatia?
Gjërat na erdhën më shpejt se ç’duhet. Nëse synonim trofeun që vitin e 3-të, na ka ardh qysh në vitin e dytë. Siç ka gjëra të paparashikuara për keq në futboll, ka edhe gjëra për mirë.
Do të luani në para eliminatoret e Champions League, a do të ruani këtë grup Tetova, me sa di ka oferta për lojtarë si Fernando, Zejnullai etj. Do të largohet ndonjë prej tyre?
Nuk besoj se do të largohet ndonjë prej tyre. Mendoj se grupi është i plotë dhe do të qëndrojë i plotë, të paktën deri në fund të eliminatoreve.
Mirë, në fund, dua shkurtimisht një koment edhe për ekipin përfaqësues, jeni trajneri kampion i Shqipërisë. Si t’u duk lista e Sylvinho-s, mbetën jashtë lojtarë si Cikalleshi, Myrto Uzuni, Bare etj
Do të thotë diçka, por edhe nuk do të thotë asgjë. Ata kanë kontribuar në eliminatore, por ky është kompeticion tjetër. Çdo trajner ka fizionominë e vet të lojës.
Keni besim te ky ekip Tetova, a mund realisht të bëjmë diçka në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?
Patjetër, pse jo. Janë emra të mëdhenj, por futbolli luhet në fushë. Nuk ka diçka më shumë, asnjë nga kundërshtarët tanë. Luhet 11 me 11, çdo gjë është e arritshme.
(J.S/)