Shkëlqeu në Turqi, Italia thërret Rey Manaj, “bomberit” kuqezi i del emri në Serie A
I harruar, fill pas transferimit të tij te Watford, Rey Manaj u rikthye fuqishëm këtë sezon, pasi kalimi i tij te Sivassport rezultoi një gjetje e vërtetë. Me 22 gola dhe 3 asssite, Rey Manaj, jo vetëm siguroi një biletë për në “Euro2024”, por tashmë sheh që emri i tij po rikthehet të qarkullojë fuqishëm edhe në futbollin e rëndësishëm Evropian. Mediat në Itali i kushtuan rëndësi faktin se në Turqi, tre golashënuesit më të mirë ishin tre ish lojtarë të Inter, Icardi, Dzeko dhe Rey Manaj.
Është e qartë ky ishte sezoni i parë dhe i fundit i Rey Manaj me fanellën e Sivasspor, klubi e ka të vështirë të mbajë më gjatë në skuadër një lojtar si Manaj, për këtë arsye u kujdesën që në ndeshjen e fundit ta nderonin si duhej.
Sipas mediave në Turqi: Manaj mund të rikthehet në Itali, pasi për të interesohet ekipi i sapo ngjitur në Serie A, Como e Cesc Fabregas. Ekipi i Comos nuk dëshiron të jetë kalimtar në Serie A, por drejtuesit e klubit synojnë të ndërtojnë një skuadër konkurrues, Manaj vlerësohet si një profil që mund të ndihmojë ekipin për t’ia arritur këtij objektivi pasi e njeh shumë mirë ambientin.
Vetë Manaj nuk do të ishte kundër një rikthimi në Itali, më herët ka luajtur për ekipe si Inter, Pescara dhe Spezia-n e Thiago Motta-s. Edhe për Manaj diskutimi është i njëjtë si në rastin e Brojës, të shumë do të jenë të interesuarit që do të ndjekin nga pranë paraqitjen e sulmuesit kuqezi në Euro2024, për këtë arsye përfaqësuesit e tij po marrin pak më shumë kohë për të vlerësuar si duhet ofertat që kanë ardhur këtë periudhë.
()