Thu, Nov 28, 2024

Dhunohet avokati i Berishës, deputeti i PD në Komisionin e Ligjeve: Autorët të vihen para përgjegjësisë! Bushka: Drejtësia do të zbardhë të vërtetën

  • PublishedMay 29, 2024

Në Komisionin e Ligjeve është përmendur dhuna ndaj avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili paraditen e kësaj të mërkure u godit nga persona të paidentifikuara me sende të forta, në zonën e ish-Bllokut, ndërsa për momentin ndodhet në spital.

Deputeti demokrat Asllan Dogjani dënoi aktin dhe kërkoi nga organet ligj zbatuese që të vërë para përgjegjësisë penale autorët.

“Ka ndodhur një ngjarje e rëndë pak minuta më parë në Bllok. Meqë jemi në Komisionin e Ligjeve dhe rasti ka të bëjë me një avokat, i cili është goditur në mes të Bllokut, në mes të ditës, është goditur me leva. Ai është pedagog, Sokol Mëngjesi, avokat i Berishës. Të goditet një avokat në mes të ditës, tregon se bandat dhe krimi nuk kanë frikë nga ligji, nuk kemi sundim të ligjit. Gjej rastin ta dënoj këtë dhunë të ushtruar ndaj Sokol Mëngjesit dhe t’i kërkojmë organeve ligj zbatuese që autoret të vihen para përgjegjësisë penale. Në rast të kundërt, kështu siç po veprohet me avokatët dhe qytetarët, ku përditë po bëhet vetëgjyqësi, ku institucionet nuk janë në zbatim të ligjit, po ju them me bindje se Shqipëria do të boshatiset dita ditës”,  tha Dogjani.

Edhe kryetarja e komisionit, Klotilda Bushka, ka dënuar dhunën, ndërsa garantoi se organet e rendit dhe drejtësisë do ta zbardhin të vërtetën.

“Në emër të komisionit solidarizohemi të gjithë si kolegë dhe kundërshtojmë çdo akt dhune dhe çdo personi që ushtron funksionet e veta në profesionin e juristit. Do duhet jo vetëm ta dënojmë, por t’i bëjmë thirrje të gjitha organeve të hetojnë dhe të vënë para përgjegjëses autorët, pa arritur ne në konkluzione, sepse kushdo qofshin individët e shoqërisë tonë që pësojnë dhunë kanë të drejtën për t’u mbrojtur dhe kushdo që e ushtron dhunën për të nxirren para përgjegjësisë. Dhuna është e papranueshme dhe unë jam e bindur se organet tona, ato të rendit dhe ato të drejtësisë, janë duke punuar me ritme për të dhënë drejtësi dhe për të zbardhur të vërtetën. Uroj që z.Mëngjesi të jetë mirë me shëndet dhe të rikuperohet, dhe padyshim solidarizohemi me të”, tha Bushka.


AlbaniaWeb.net