Raporti: Varfëria menstruale kërkon politika mbështetëse për vajzat dhe gratë
“Together for Life”, një organizatë jo-fitimprurëse për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve dhe të shtresave në nevojë të shoqërisë, ka publikuar së fundmi një raport i cili trajton të drejtën menstruale të grave dhe vajzave në Shqipëri si një të drejtë themelore të njeriut, si edhe nevojën e politikave mbështetëse që do lehtësonin barrën ekonomike që sjellin produktet e higjienës menstruale tek gratë gjatë jetës se tyre.
“Përmirësimi i shëndetit menstrual duhet të shihet si pjesë e së drejtës për kujdes shëndetësor, për punësim, edukim, mos-diskriminim dhe barazi gjinore”, citon raporti i “Together for Life”.
Sipas ekspertëve të kësaj organizate, mos trajtimi i duhur i menstruacioneve mund të cenoje dinjitetin dhe shëndetin mendor të një gruaje.
Ky raport i financuar nga Ambasada Franceze në Shqipëri ka objektiv kryesor analizimin e kostos të një pakete menstruale për një grua në vendin tonë dhe krahasimin e kësaj kostoje me mundësitë financiarë të grave për t’i përballuar ato.
Raporti trajton gjithashtu konceptin e “varfërisë menstruale”, dhe efektin që ajo ka në menaxhimin e ciklit menstrual, dhe ndikimin e këtij të fundit në pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në procesin arsimor dhe në punë.
Raporti përllogarit se shpenzimet mesatare vjetore të një gruaje për shëndetin menstrual arrijnë rreth 4200 lekë të reja, pa marrë në konsideratë rastet kur gratë kanë çrregullime menstruale që kërkojnë kosto të shtuara.
“Referuar të dhënave të tregut, çmimi mesatar i një pakoje pecetash higjienike është 240 lekë dhe çmimi i një pakoje tabletash dhimbjeje menstruale është 110 lekë, duke e çuar koston totale minimale të higjienës bazike menstruale rreth 350 lekë në muaj”, citojnë gjetjet e raportit mbi shëndetin menstrual.
“Duke ju referuar këtyre të dhënave, rezulton që një gruaje me pagë mesatare në Shqipëri do t’i duhet të punojë 3.4 muaj gjatë gjithë jetës së saj riprodhuese për të paguar koston e shëndetit menstrual”, vijon më tej raporti.
Sipas raportit, një prej politikave të duhura që do të lehtësonte koston e shpenzimeve për shëndetin menstrual do ishte heqja e taksës mbi këto produkte.
“I pari që e artikuloi nevojën për rishikimin e politikës së taksimit të produkteve të higjienës menstruale ishte deputeti socialist Erion Braçe, në nëntor të vitit 2023, duke propozuar përjashtimin nga TVSH të produkteve higjieno-sanitare të grave dhe vajzave”, citon studimi.
Gjithsesi, propozimi i deputetit Braçe u rrëzua nga komisioni parlamentar dhe u cilësua si i parakohshëm, pavarësisht se kjo politikë implementohet në 22 vende të Bashkimit Europian.
Ekspertët e studimit mbështesin gjithashtu propozimin e deputetit Braçe, pasi ato e cilësojnë blerjen e produkteve menstruale si një një domosdoshmëri njerëzore për të pasur shërbim shëndetësor të denjë dhe të përballueshëm, dhe jo si një zgjedhje.
“Nevoja për një menaxhim më dinjitoz dhe të përballueshëm të produkteve menstruale kthehet në një çështje të drejtash themelore të njeriut”, citon raporti.
Për të lehtësuar sadopak këto kosto, ekspertët e shëndetit dhe ekonomisë kanë rekomanduar heqjen e TVSH-së për produktet menstruale, ofrimin falas të pecetave higjenike në shkollat e arsimit 9-vjeçar, si edhe në burgjet e grave dhe vajzave.
“Duke marrë parasysh edhe faktin që pjesa më e madhe e popullsisë në Shqipëri banon në zonat rurale konkludojmë që një pjesë e konsiderueshme e grave dhe vajzave janë në vështirësi për të financuar nevojat e tyre minimale të kujdesit personal”, përfundon raporti.