Mbyllet edicioni i radhës i kursit UEFA B të FSHF në zonën e Fierit, diplomohen 28 trajnerë të rinj
Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar me sukses një tjetër edicion të kursit për trajnerë të nivelit UEFA B në qytetin e Fierit.
Në këtë kurs që organizohet nga Departamenti i Edukimit në FSHF morën pjesë emra të njohur të futbollit shqiptar, teksa këtë edicion ishin pjesëmarrës 28 trajnerë, të cilët ndoqën kurrikulën e përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n dhe mbyllën me sukses provimin final.
Në grupin e trajnerëve të diplomuar spikat pjesëmarrja e katër vajzave, e cila shkon në një linjë me prioritetin e UEFA-s që në kurset e licensimit për trajner të nivelit të dytë, 10% e të regjistruarve të jenë vajza.
Gjithashtu, në mes të të diplomuarve ishin emrat e disa ish-futbollistëve si Franc Veliu, Gerard Progni, Ektor Idrizaj dhe Taulant Kuqi.
Ky kurs nisi në shkurt dhe zgjati për katër muaj, teksa u zhvillua i ndarë në katër periudha dhe u përmbyll me shpërndarjen e licencave.