Mon, Nov 25, 2024

Erjon Hoxhallari ikën nga Tirana, mëngjarashin e presin tek klubi tjetër i Superiores

  • PublishedMay 30, 2024

Tërmeti filloi te Tirana. Erjon Hoxhallari është largimi tjetër i madh nga bardheblutë. Kapiteni bardheblu, që mbylli sezonin, ndërpreu bashkëpunimin që e kishte dy-vjeçar dhe tani Hoxhallari është lojtar i lirë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi kryeqytetas, pas një postimi në “story”-t e rrjeteve të tyre sociale. Tashmë ish-kapiteni i Tiranës, luajti me ekipin bardheblu për plot 7 sezone, që nga viti 2015 deri në 2022, ku pati një transferim për në Rumani te skuadra e UTA Arad, për t’u rikthyer edhe njëherë te ekipi i tij i zemrës sezonin që sapo lamë pas. Kujtojmë që ky është kapiteni i dytë që largohet nga Tirana në një periudhë shumë të shkurtër kohe, duke qenë se pak dit më parë u largua edhe Najdovski.

SHKAQET – Largimi i Erjon Hoxhallarit duket pak i çuditshëm, por gjithsesi, gjërat s’janë aq të thjeshta. Hoxhallari është larguar, pasi klubi e nxori jashtë planeve, sepse u është fiksuar që paraqitja s’ka qenë në nivelin që ata prisnin. Plus edhe faktin që ai kishte një rrogë të madhe, ndërsa në fund ishte edhe përballja me tifozët dy ndeshje nga fundi. E vërteta është që Tirana po ul shpenzimet.

STATISTIKAT – Në këtë sezon, Erjon Hoxhallari ishte një nga lojtarët më të aktivizuar te bardheblutë. Lojtari këtë sezon ka luajtur 41 takime, ka shënuar 2 gola, ka dhënë 3 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 3535 minuta. Vlera e kartonit është 250 mijë euro.

E ARDHMJA – Për një mbrojtës si Hoxhallari të shumtë janë klubet që e duan në ekip. Duke filluar nga ato në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, por edhe në Shqipëri. Partizani, Dinamo, Elbasani, por edhe Vllaznia e duan mbrojtësin. Shkodranët madje kanë bërë edhe ofertën konkrete. Drejtori Tefik Osmani mësohet se ka kontaktuar me mbrojtësin, por ky i fundit nuk e ka thënë ende fjalën e tij. Veç Hoxhallarit janë larguar edhe Najdovski, Përgjoni, Deliu, Mici, Lushkja, Patrik dhe Lulaj duhet të rinovojnë, ndërkohë që Latifi ka oferta dhe mund të bashkohet me një skuadër tjetër jashtë Shqipërisë.

AlbaniaWeb.net