Mon, Nov 25, 2024

Shkelen afatet e Urgjencës së QSUT! Vazhdon vonesa për riparimin e dëmeve nga zjarri, sorollaten qytetarët

  • PublishedMay 31, 2024

Sot mbushen 28 ditë kur duhej të përfundonin punimet për kthimin në normalitet të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitalit Qendror në QSUT.

Por punimet nuk kanë përfunduar, ndërsa janë drejt fundit, grupet e punës janë të angazhuar, janë duke bërë testimet si për sistemin elektrik ashtu edhe për sistemin e aspirimit dhe ndoshta java e parë e qershorit do ta gjejë gati spitalin e ri.

Ende nuk thuhet një datë zyrtare se kur do të hapet dhe të funksionojë me kapacitet të plotë urgjenca dhe spitali i ri. Tanimë janë mbushur plot 3 muaj e tre javë që kur ndodhi shkëndija elektrike në 11 shkurt e u pezullua puna në urgjencën e spitalit qendror, duke bërë që pacientët të shpërndaheshin nëpër spitale te tjera në Tiranë.

Në dokumentin e Agjencisë së Prokurimit Publik vihet re se kompanisë Agikons, e cila kishte ndërtuar spitali e ri, një investim prej 17 milion euro i janë dhënë sërish afro 28 milion lekë të tjera, për të riparuar dëmin e shkaktuar  në spitalin që vetë Agikons ndërtoi, e që ishte brenda garancisë.

Po kështu është përcaktuar se punimet duhet të përfundojnë për 28 ditë  duke filluar nga data 4 maj. Pasi bëhet fjalë për një spital dhe një urgjencë që i shërben të gjithë pacientëve të Shqipërisë, të cilët nuk e kanë pasur aspak të lehtë  gjatë kësaj periudhë të marrin shërbim shëndetësor në raste urgjence dhe jo vetëm, ku shpesh janë sorollatur sa në QSUT, e më pas janë orientuar për te Trauma apo Shefqet Ndroqi, duke ia bërë më të vështirë e shpesh duke vënë në rrezik jetën e tyre për shkak të humbjes së kohës .

AlbaniaWeb.net pa nga afër dhe sjell këto pamje amatore nga kati minus-2, ku punimet vazhdojnë e punëtorët po merren kryesisht me sistemin e aspirimit. Ndërkohë që sistemi elektrik po testohet ende. Punëtorët nuk dinë të thonë se kur mund të përfundojnë punimet, ndërkohë që mjekët nuk kanë informacion, u është thënë së shpejti për punë ditësh, por pa përcaktuar një datë.



AlbaniaWeb.net